Sot, dua të ndaj me ju një vështrim timin mbi familjen dhe përkujdesjen e Islamit ndaj saj, edhe në mospajtim absolut me përpjekjet denigruese të lobeve antiislame, antishqiptare dhe antikombëtare kundër vlerave të familjes shqiptare.
Njëkohësisht ju tërheq vëmendjen se ne si muslimanë nuk pajtohemi në asnjë mënyrë me tendencat e vazhdueshme dhe përpjekjet ogurzeza për ndryshimin e kodit të familjes nga misionarë të së keqes të instaluar në drejtim të pushteteve të ndryshme në vendin tonë.
Vendi në duart e këtyre misionarëve të së keqes është në rrezik, sepse ky model nuk beson në Zot, nuk ka familje, nuk ka shenjtëri, nuk ka besë, nuk ka përgjegjësi, nuk ka moral!
RRETH FAMILJES NË UDHËZIMET KUR’ANORE DHE SHEMBULLIN E HZ. MUHAMMEDIT (A.S)
Tregohet se kinezët e vjetër, kur u angazhuan për ndërtimin e murit të famshëm, menduan se asgjë nuk do ta cënonte sigurinë e tyre pas ndërtimit të tij. Faktet tregojnë se në 100 vitet e para të periudhës pas ndërtimit të murit gjigand, Kina u përball me tri luftra. Në secilën prej tyre, armiku nuk kishte pasur nevojë të kapërcente murin a të tentonte prishjen e tij; kishte korruptuar rojet dhe kishte hyrë nga dyert e kështjellave… Sepse kinezët u angazhuan me ndërtimin e murit, por harruan ndërtimin e rojeve! Sepse, ndërtimi i njeriut është më i rëndësishëm se ndërtimi i gurit!
Edhe ne sot, nuk jemi shumë larg kësaj ndodhie të vjetër shekullore; nuk jemi të aftë të ndërtojmë një familje të shëndoshë! Sot, shpesh ndodh të përballemi me kështjella luksoze, në brendësinë e të cilave ka familje të shkatërruara! Shtëpi në kulmin e luksit, ku djali nuk flet me babën, e vajza nuk pyet më për nënën! Shkatërrim, si ai me të cilin përballemi ditë pas dite, kur dëgjojmë se djali vrau babën, vajza u largua nga shtëpia me të dashurin, rritja e numrit të aborteve, nxitja e rinisë drejt alternativave imorale, që shpesh nxiten edhe nga institucionet tona, si rasti i festës së shkumës, para Bashkisë, Ramazanin që kaloi, a kolibet e alkoolit para xhamisë “Ebu Bekër”, këtë dhjetor që lamë pas!
Të gjitha këto, e shumë më shumë se kaq, janë pjesë e një komploti të madh që i bëhet familjes së sotme muslimane shqiptare! Jo vetëm kaq por, krejt familjes tradicionale qytetare me traditat shekullore të besimit, nderit, pastërtisë dhe moralit!
Dikur, thonin: “Nëse dëshiron të shkatërrosh një civilizim, ke tri rrugë: shkatërrimin e familjes, shkatërrimin e arsimit dhe degradimin e shembullit! Që të shkatërrosh një familje, zhbëje rolin e nënës; bëje të turpërohet nga cilësimi: zonjë shtëpie! Që të shkatërrosh arsimin, nënvleftësoje vlerën e mësuesit në shoqëri, pakësoja pozitën, sa të bëhet qesharak para nxënësve të tij. Dhe, që të degradosh rolin e shembullit, sulmo dijetarët dhe mendimtarët, intelektualët. Fol keq për ta. Pakësoje pozitën e tyre, fut dyshime rreth tyre, derisa askush të mos dëgjojë më prej tyre a t’i ketë si shembull udhëzimi në jetë!” Prandaj, kur të mos ekzistojë më nëna si djep edukimi, mësuesi si brumosës me dije e kulturë, këshilltar frymëzues dhe, dijetari si shembull, kush do ta edukojë rininë dhe brezin e ri?
Në trajtimin e kësaj teme, dua të nis fillimisht me programimin që Zoti i gjithësisë i ka bërë mashkullit dhe femrës, nëpërmjet veçorive, me të cilat i ka pajisur që në krijim.
Mashkulli ka veçoritë e tij trupore, psikologjike, sociale, intelektuale dhe drejtuese, sikurse edhe femra, e cila ka veçoritë e saj të mrekullueshme trupore, psikologjike, sociale, intelektuale dhe drejtuese, veçori që vërtetojnë thënien e Zotit në Kur’an, në gojën gruas së Imranit: “E mashkulli nuk është si femra.” – (Kur’ani, Ali Imran: 36.) Pra, “ata janë të plotësuar, por jo të ngjashëm!” – (http://www.nabulsi.com/blue/ar/art.php?art=2495)
Pastaj, në Kur’anin Famëlartë, jemi ftuar drejt meditimit në një prej ajeteve të sures së romakëve, ku Zoti i gjithësisë urdhëron dhe thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” – (Kur’ani, Er-Rum: 21.)
Ky ajet konsiderohet si baza e nxitjes së martesës, krijimit të familjes dhe distancimit nga të gjitha format e murgërisë, të cilën e ka ndaluar si Kur’ani, ashtu edhe Hz. Muhammedi (a.s), siç do të shpjegohet në vijim.
Dijetari i shquar dhe komentuesi bashkëkohor i Kur’anit, Dr. Ratib Nabulsi, teksa analizon këtë ajet kur’anor, ndër të tjera thekson se: “Ashtu sikurse universi që është argument i madhërisë së Tij, ashtu sikurse dielli, hëna dhe yjet, poashtu edhe fakti se: “Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” është argument i rëndësishëm i madhërisë së Tij.
Në Islam, gruaja është krejtësisht e barabartë me burrin në çështjet e obligimeve fetare, kujdestare, njësoj si ai, përgjegjëse, njësoj si ai. Ndërsa sqarimi kur’anor: “nga vetë lloji juaj”, dëshmon se femra ka veçoritë e saj, që burri të anojë nga ajo, sikurse ka veçoritë e tij, që gruaja të anojë nga ai” – (Dr. Ratib Nabulsi, “Cilësimi i familjes në Kur’anin Famëlartë”, në gjuhën arabe, nga enciklopedia elektronike e dijetarit në fjalë. وصف الأسرة في القرآن الكريم), në procesin e formësimit të familjes dhe vendosjes së ekuilibrave të respektit, kufijve të tolerancës dhe mirëkuptimit, si baza në ndërtimin e saj.
Ndërkohë historia e trajtimit të femrës dhe gruas në perëndim gjatë shekujve, ka qenë dhe mbetet objekt studimi për të parë nënçmimin dhe poshtërimin e saj, edhe nën diktatin e elementëve të ndryshëm fetarë! “Historiani Frederik Heer thotë se në mesjetën evropiane, femra nuk kishte asnjë të drejtë në asnjë drejtim të jetës. Ligji ishte i posaçëm vetëm për burrat. Ndërsa përsa i përket të drejtave të femrës në martesë, vajzat e shtresave të larta nuk kishin asnjë të drejtë në përzgjedhjen e shokut të jetës, pasi interesat materiale ishin ato që kishin vendimin e parë dhe të fundit! Me përfundimin e aktit martesor, gruaja me krejt çfarë posedonte bëhej pronë e pastër e burrit të saj…” – (Afif Abdulfettah Tabara, “Ruhud-din el-islami”, botimi i 30-të, Bejrut, gusht 1995, f. 420-421.)
Ndërsa në Islam, nëpërmjet Kur’anit Famëlartë, para 15 shekujsh, urdhëzohemi: “Kushdo që vepron ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtarë, të tillët do të hyjnë në xhennet dhe nuk do u bëhet asnjë lloj padrejtësie!” – (Kur’ani, En-Nisa: 124.)
Ndërkohë, Vula e të dërguarve të All-llahut, Hz. Muhammedi (a.s), na udhëzon drejt bartjes së përgjegjësive në jetë, kur thotë: “Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe krejt ju do të pyeteni për përgjegjësinë tuaj! Prijësi është kujdestar dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij. Burri në familjen e tij është kujdestar dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij. Femra në shtëpinë e burrit të saj është kujdestare dhe do të pyetet për përgjegjësinë e saj…” – (Bukhariu dhe Muslimi, nga Abdullah ibn Omer (r.a).)
Pra, Islami e ka edukuar individin të jetë njeri i përgjegjësive në jetë, të mos ngatërrojë punët e shpirtit me ato materiale, as të abuzojë me fenë në dëm të jetës së përditshme, të formojë familje dhe të kujdeset për të, të trashëgojë jetën dhe të ndërtojë vlera morale me shembullin e tij personal, me edukimin e fëmijëve dhe trajtimin sa më dinjitoz të nënës së fëmijëve të tij!
Ekstremizmi dhe devijimi nga ky rregull, është i refuzuar në Islam, qëkur Zoti i gjithësisë tregon për beni israilët: “ndërsa murgërinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim” – (Kur’ani, El-Hadid: 57.) dhe qëkur Hz. Muhammedi (a.s) i dha një mësim të qartë disa të rinjve, të cilët sa nuk devijuan në ekstremizëm fetar, në ngjarjen në vijim.
[Tre të rinj erdhën në shtëpinë e Profetit (a.s) dhe pyetën për adhurimin e tij. Kur mësuan për të dhe e krahasuan me veten e tyre, e gjetën adhurimin e tyre shumë larg dhe thanë: Po ku jemi ne me të dërguarin e Zotit (a.s), atij ia ka falur All-llahu krejt gjynahet e bëra dhe të pabëra! I pari prej tyre tha: “Unë do të falem krejt natën, përgjithmonë!” I dyti tha: “Ndërsa unë do të agjëroj krejt jetën, nuk do të prish asnjë ditë!” I treti tha: “Ndërsa unë do të distancohem nga gratë dhe nuk do të martohem kurrë!” Kur i dërguari i All-llahut mësoi për vendimin e tyre, erdhi, i takoi dhe u tha: “Ju jeni ata që keni thënë kështu e ashtu? Ndërsa unë, pasha All-llahun, jam më i përkushtuari ndaj All-llahut ndër ju dhe ai që i frigohem më së shumti Atij! Por, unë edhe agjëroj (jashtë Ramazanit) edhe jo! Edhe falem natën, edhe flej! Dhe, martohem! Prandaj, kushdo që devijon nga tradita ime, ai nuk është prej meje!”] – (Bukhariu dhe Muslimi, nga Enesi (r.a).)
Përkujdesja e madhe e Kur’anit dhe Profetit Muhammed (a.s) ndaj femrës, gruas dhe për pasojë vetë familjes është një temë e gjerë dhe objekt diskutimesh e studimesh të thella sociologjike, fetare dhe përtej tyre.
Megjithatë, në përfundim të kumtesës time, dua të sjell në vëmendjen tuaj disa argumente që nxisin përkujdesjen e madhe ndaj familjes, gruas dhe fëmijës në Islam nëpërmjet fakteve të mëposhtme:
Në Kur’anin Famëlartë ka një sure, që titullohet: suretun-Nisa; kapitulli i Grave. Poashtu një sure që titullohet: suretu Ali Imran; kapitulli i Familjes së Imranit. Prej kësaj familje ka lindur zonja Merjem, nëna e Hz. Isait (a.s), me emrin e të cilës titullohet një sure e tërë: suretu Merjem. Një tjetër kapitull interesant në Kur’an është ai që mban titullin e një gruaje që erdhi tek Profeti dhe diskutoi me të rreth një çështjeje familjare. Titullohet: suretul-Muxhadile; kapitulli i Gruas debatuese. Sikurse ftohemi të lexojmë me shumë vëmendje historinë e nënës dhe motrës së Hz. Musait (a.s), atë të gruas besimtare Asja, bashkëshortes së Faraonit, mbretëreshës së jemenit Belkis, lartësimin e grave besimtare dhe të ruajtura etj.
Ndërkohë, transmetohet se ndër porositë e fundit të Hz. Muhammedit (a.s), në prag të largimit nga kjo botë ishte edhe fjala e tij: “Përkujdesuni ndaj grave…”. – (Bukhariu dhe Muslimi.)
Ndërsa në porositë e tij (a.s) në haxhin e lamtumirës, ndër të tjera tha: “Kijeni frikë All-llahun në gratë tuaja, sepse ju i keni marrë ato me mbrojtjen e All-llahut, keni bërë hallall nderin e tyre me fjalën e All-llahut…”. – (Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh.)
Ai porositi: “Më i miri ndër ju, është më i miri për familjen e tij. Ndërsa unë, jam më i miri i juaj, për familjen time”. – (Ibn Maxheh.)
Poashtu tha: “Besimtarët me besimin më të plotë, janë më të sjellshmit ndër ta. Më të mirët ndër ju, janë më të mirët ndaj grave të tyre”. – (Ahmedi, Ibn Ebi Shejbe, Ebu Davudi etj.)
Hz. Muhammedi (a.s) nxiti lojën, humorin, bashkëbisedimin e afrimin e burrit me gruan e tij, në intimitetin e tyre familjar. Sahabiu Xhabir ibni Abdil-lah (r.a) thotë: E kam dëgjuar Resulull-llahun (a.s) duke thënë: “Çdo gjë, në të cilën nuk ka përmendje të All-llahut, është hutim dhe lojë (humbje kohe pa dobi), përveç katër rasteve: kur burri luan me gruan e tij…”. – (Nesaiu, Bezari, Tabaraniu etj.)
Caktoi tre hise respekti ndaj nënës, para një hiseje respekti ndaj babës. Kush e meriton më së shumti mirësjelljen time? – e pyeti dikush. Tha: “Nëna jote”. Pyetësi tha: Po pastaj? Tha: “Nëna jote”. Pyetësi vazhdoi: Po pastaj? Tha: “Nëna jote”. Ai tha: Po pastaj? Tha: “Pastaj babai yt”. – (Bukhariu dhe Muslimi.)
Ndërsa përsa i përket përkujdesjes dhe vëmendjes ndaj fëmijëve, mjafton në këtë cak të kësaj trajtese, transmetimi i saktë, në të cilin dëshmohet se Resulull-llahu (a.s) e puthi nipin e tij Hasanin, në prezencë të Ekra ibni Habisit, i cili tha: Unë kam dhjetë djem, s’e kam puthur asnjërin prej tyre. Hz. Muhammedi (a.s) e vështroi dhe i tha: “Ai që nuk mëshiron, nuk mëshirohet”. – (Bukhariu dhe Muslimi.)
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 14 maj 2016