Paraditën e së shtunës, më 7 maj 2016, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet përkujtimor në nder të H. Hilmi Hoxhës, një besimtar i nderuar qytetar shkodran, që u nda nga jeta, rreth një vit më parë.
Aktiviteti u zhvillua në xhaminë e Rusit, ku zotnia e tij kaloi edhe vitet e fundit të jetës, duke i mësuar besimtarëve vullnetarisht alfabetin dhe leximin e Kur’anit Famëlartë në gjuhën e origjinës.
Familjarë, intelektualë të shumtë, imamë të xhamive, miq e të ftuar kishin tejmbushur sallën e faltores së Rusit, në nderim të kontributit dhe qytetarisë islame të rahmetliut, H. Hilmi Hoxha.
Aktiviteti nisi me leximin e disa ajeteve kur’anore nga H. Shukri Kapllan, që u pasua nga fjala e hapjes, nga teologu Arben Halluni, i cili vlerësoi kontributin e Mësuesit të Kur’anit, H. Hilmi Hoxha.
Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u përqendrua tek domosdoshmëria e nderimit të besimtarëve të moshuar, mësuesve të heshtur dhe shërbyesve të Thirrjes Islame, me përkushtim e sinqeritet.
Myftiu tha se shembulli i H. Hilmi Hoxhës, është mishërim i hadithit: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin dhe ia mëson atë edhe të tjerëve”.
Një prezantim të përkushtimit të H. Hilmi Hoxhës e bëri edhe nxitësi për organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm, H. Fejzi Zaganjori, imam i xhamisë Rus.
Në fjalën e tij, H. Fejzi Zaganjori theksoi se modeli i H. Hilmi Hoxhës, është shembulli i burrave të përkushtuar, që nuk kërkojnë pozita e dekrete, por punojnë me shpirt të pastër për të përhapur Fjalën e All-llahut të Madhëruar.
Në emër të familjes Hoxha, përshëndeti Dr. Merzuk Hoxha. Ai tha se shembulli i vëllaut të tij është në vazhdën e edukimit familjar, ku edhe babi i tij Sheh Qazim Hoxha, edhe vëllau tjetër, H. Faik Hoxha, kanë shërbyer me përkushtim në rrugën e përhapjes së vlerave të Thirrjes Islame.
Ai falënderoi këtë organizim dhe theksoi se nderimi për vëllanë e tij, është një mirënjohje për shembullin dhe punën e tij plot pasion.
Në fund u bë edhe një dua-hatme për shpirtin e tij dhe u fal namazi i mesditës me xhemat.