Myftiu priti Imamin e UIC të Arizonës, Imam Didmar Faja

Paraditën e të xhumasë, më 27 maj 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror imamin e Qendrës së Bashkuar Islame të Arizonës, Imam Didmar Faja.

Fillimisht, Myftiu shprehu gëzimin e tij për vizitën e mikut të shtrenjtë, shkodranit që punon me përkushtim të madh në shërbim të Thirrjes Islame në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Meksikë.

Myftiu vlerësoi angazhimet e suksesshme të thirrësit islam, Imam Didmar Faja, sidomos konvertimet e shumë amerikanëve dhe meksikanëve në Islam, në duart e tij.

Nga ana e tij, Imam Didmar Faja, theksoi se ndjehet i lumtur për rikthimin në vendlindje, në këtë vizitë në prag të Ramazanit. Njëkohësisht vlerësoi aktivitetin e Myftinisë Shkodër në drejtim të përhapjes së vazhdueshme të vlerave dhe mësimeve të fesë islame.

Imami tha se Thirrja Islame në Amerikë dhe në mbarë botën, po përhapet paqësisht, nëpërmjet rrugëve të semrës dhe mendjes, me argumente dhe bindje. Ai tha se përtej propagandës islamofobe, kudo nëpër botë, jomuslimanët po tërhiqen përherë e më shumë drejt Islamit dhe vërtetësive të tij.

Ai e lajmëroi Myftiu edhe për faktin se UIC e Arizonës, është transferuar në ambientet e një kishe të madhe, të blerë nga muslimanët dhe të kthyer në xhami.

Me rastin e kësaj vizite, Myftiu e ftoi Imamin e nderuar të mbajë hytben e kësaj xhumaje në xhaminë e Plumbit, sikurse shtroi një drekë në nder të tij.