Të dashur e të shtrenjtë besimtarë,
Nata e parë e Muajit Rexheb të kalendarit hixhri, e quajtur ndryshe si Nata e Regaibit, është nata që i paraprin të xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte me të xhumanë) të Muajit Rexheb, që është edhe muaji i parë i Tre Muajve të Begatë; Rexheb, Shaban dhe Ramazan.
Ndër vlerat e mëdha dhe të spikatura që përmban kjo natë, është njëkohësisht edhe sihariqi dhe lajmërimi i i parë i afrimit të Muajit Ramazan, të cilin besimtarët e presin me shumë mall.
Dashje pa dashje, besimtari hyn në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, duke u kthyer me pendim të sinqertë, me agjërim e lutje, me rregullim të programit të namazeve ditore, por jo vetëm, nga dyert e kërkimit të mëshirës dhe faljes nga All-llahu i Madhëruar.
Meqë Muaji Rexheb është prej muajve, në të cilët ndalohet padrejtësia dhe e keqja në përgjithësi, muslimani forcohet edhe më shumë në vetëdijen e tij se, Njeriu, si mëkëmbësi i Zotit në Tokë, është krijuar si ndërtues vlerash në jetë, si përhapës i paqes, si përçues i të mirës dhe mbrojtës i jetës, harmonisë, vlerave të humanizmit dhe zhvillimit të jetës në përgjithësi.
Me këtë rast, më lejoni t’ju përhajroj me zemër dhe t’ju ftoj që bashkarisht t’i drejtohemi me lutje e përgjërime Zotit të gjithësisë, që të na mbushë zemrat me dashninë e Tij, të na kthejë nga e mira, të na hapë dyert e bekimeve në jetë, dule na nxjerrë nga errësira në dritë!
Ju ftoj që duke nisur nga kjo mbrëmje e deri në pritje të Hënës së Bekuar të Ramazanit, të angazhohemi me më shumë namaz nate, tehexhud, agjërime vullnetare, sadeka e ndihmë ndaj njerëzve në nevojë, vizita farefisnore, takime me miq e dashamirë, solidaritet me projektet e ndryshme sociale, që i sjellin dobi qytetit, vendit e kombit!
All-llahu ju dashtë e ju bekoftë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 7 mars 2019