“Pra, mos e ngarkoni (me gjynahe) veten tuaj në këta (katër muaj)…”

Kalendari i llogarive tona, shënon sot 1 Rexheb 1440. Zyrtarisht kemi hyrë në atmosferën e një muaji, për të cilin All-llahu i Madhëruar thotë në suren Et-Teube: “Tek All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me gjynahe) veten tuaj në këta (katër muaj)…”[1], deri në fund të ajetit.

Ajo që nxit ky ajet, dhe që përbën edhe thelbin e marrëdhënies tonë me këtë muaj të shquar dhe ata që e pasojnë, që në gjuhën popullore i quajmë: “Muaj të Mirë”, është mbi të gjitha distancimi nga zullumi! Po, zullumi, që në gjuhën tonë i thonë: padrejtësi!

Zullumi me veten, kur e humbim kohën dhe nuk e vlerësojmë se ajo është esenca e sekreteve hyjnore, me të cilat na ka begatuar Zoti i gjithësisë, i Cili, sa e sa herë është betuar për të në Kur’anin Famëlartë, që ne të kuptojmë!

Zullumi me fëmijët, që shpesh refuzojmë t’i dëgjojmë, për të shfaqur Krijuesi ynë nëpërmjet fjalëve të tyre prirjet dhe talentet e fshehura, që shpesh i abortojmë, duku u mbyllur gojën, teksa i tregojmë gishtin dëshmues!

Zullumi me familjen, kur në mënyrë të pavetëdijshme, lejojmë që nëpërmjet ca kutive të instaluara nëpër dhomat e ndejes a duart e skllavëruara para ekraneve të tabloidëve, të na shqyhet pak nga pak perdja e turpit, të na thahet pa e ndjerë uji i fytyrës, të na avullojë në heshtje eliksiri i dritës dhe cilësive të trashëguara, me të cilat qenë veshur të parët, brez pas brezi; ata që jetuan me moral e besim, me fjalë dhe besë, me dije dhe edukatë, me respekt dhe tolerancë; gjithmonë duke respektuar e shenjtëruar në thelb të zemrës dhe të shpirtit fenë e Zotit dhe kufijtë e saj!

Zullumi me shoqërinë, kur heshtim para padrejtësive të shumta që derdhen në këtë vend, të cilin, një grup i caktuar njerëzish, e konsideron si një kosh të madh, ku duhet hedhur çdo gjë e dëmshme, që shkatërron besimin, vlerat, tabanin, traditat e pastërtisë, nderit e moralit, turpit dhe mendimit, ndërgjegjes besimtare dhe karaktereve të forta që ndërtojnë pa pushim!

Zullumi me tjetrin, kur kemi mundësi ta ndihmojmë e ta qetësojmë me një fjalë të mirë e të urtë, por që shpesh ia kursejmë se, mos na paragjykon!? Kur e kemi mundësinë për ta ndaluar nga një ves a një devijim, por s’e bëjmë dot sepse mund ta humbasim, në një kohë, kur këshilla nuk thuhet, a nuk serviret si duhet, a keqpërdoret, a shitet lirë, a refuzohet plot krenari të ligë e të sëmurë!

Zullumi me tokën tonë, kur harrojmë se prej kemi ardhur e drejt saj do të kthehemi, ndonëse hutohemi e devijojmë në labirinthet e papritura, a edhe rutine, të një jete, që na është dhënë si amanet i shtrenjtë nga Zoti i vetëm i tanësisë, si sprovë jo e lehtë, si mundësi për të dëshmuar qenien a jo mëkëmbës real të Krijuesit të gjithësisë, i Cili na pajisi me krejt elementët përbërës të suksesit dhe mbarësisë në jetë!

Të dashurit e mi,

Në hadithin kudsi, që thuajse të gjithë e keni lexuar dhe e dëgjoni me vëmendje, All-llahu i Madhëruar na drejtohet duke na thënë: “O robërit e Mi, Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë, e bëra atë të ndaluar edhe në mes jush, kështu që mos i bëni njëri-tjetrit padrejtësi! O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni në rrugë të gabuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, prandaj kërkoni udhëzim nga Unë, që t’ju udhëzoj! O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, prandaj kërkoni t’ju ushqej, që t’ju ushqej! O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, prandaj kërkoni veshje nga Unë, që t’ju vesh! O robërit e Mi! Vërtet ju gaboni natën dhe ditën, kurse Unë i fal të gjitha gjynahet, prandaj, kërkoni nga Unë falje, që t’ju fal! O robërit e Mi! Ju nuk mund të arrini të më dëmtoni me ndonjë dëm, as që mund të arrini të më sillni ndonjë dobi, që të më bëni të përfitoj! O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët nga ju, të ishin të përkushtuar, si zemra më e devotshme e njërit nga ju, kjo nuk do të shtonte aspak në sundimin Tim! O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët nga ju, të ishin të këqij si zemra më e keqe e ndonjërit nga ju, kjo nuk do ta zvogëlonte sundimin Tim në asgjë! O robërit e Mi! Sikur i pari dhe i fundit nga ju, njerëzit dhe xhinët nga ju, të qëndronit bashkë në një vend dhe të kërkonit nga Unë, do i përgjigjesha lutjes së çdonjërit nga ju dhe, kjo nuk do e pakësonte atë që Unë zotëroj, aq sa do të pakësonte gjilpëra detin nëse do të futej në të! O robërit e Mi! Janë veprat tuaja ato për të cilat do të llogariteni, pastaj Unë do t’ju shpërblej për to! Ai që gjen mirë, le ta falënderojë All-llahun, ndërsa ai që gjen ndryshe nga ajo, mos ta fajësojë askënd përveç vetveten!”[2]

Ky është thelbi i besimit; ta besosh All-llahun e Madhëruar me krejt cilësitë dhe emrat e Tij të plotë e të bukur, duke shpresuar mëshirën dhe bekimet e Tij në jetë! Pa to, asgjë nuk jemi dhe s’mund të jemi! Pa këtë ëmbëlsi të besimit dhe pa vlerat e tij, katandisemi më keq sesa është katandisur bota sot; kudo intriga, pabesi, përçarje, zhvatje të pasurive, korrupsion, krim e shkatërrim, drogë e prostitucion, alkool dhe hipokrizi, dehje pas kësaj bote dhe zhveshje nga përgjegjësitë e jetës, mungesë edukate dhe mosrespekt ndaj shenjtërive, por jo vetëm kaq! E gjithë kjo, në emër të “lirisë absolute”! Jo për këtë jemi krijuar!

U prish arsimi, u godit institucioni i mësuesit, u shqye perdja e turpit, u godit institucioni i familjes, u godit nana dhe baba, u shit gruaja dhe fëmija, u abuzua me fenë dhe u bë mall në dorën e kujtdo, sado të palara qofshin duart e tij, u godit thelbi, u shënjestrua për vdekje morali dhe e ardhmja e dinjitetit të njerëzimit!

Karshi tërë kësaj katrahure, që duket se nuk ka zgjidhje, ne mbetemi këtu ku jemi, si në një përballje të paevitueshme, si para një provimi, nota e të cilit do të jetë vendimtare për cilësinë e të ardhmes!

Provim që na vendos para nje dileme të madhe përzgjedhjeje dhe qëndrimi, që përkufizohet në dy ajete kur’anore. I pari: “Mandej do t’ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”.[3]  I dyti: “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni tek Ai!”.[4]

A jemi gati ta marrim amanetin dhe t’i përgjigjeni Thirrjes së Jetës, për jetuar me All-llahun, për All-llahun, drejt bekimeve dhe përjetësisë në xhennetet e Tij! All-llahumme amin!

All-llahumme na fal e na mëshiro, na udhëzo e na bëj të qëndrueshmë në këtë fé, na drejto nga dyert e pendimit, që të kërkojmë falje për të shkuarën e të gjejmë qetësi e prehje në të sotmen e të ardhmen, të mbushur me besim e dashuri për Fjalën Tënde dhe të Dërguarin mëshirë për botët! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e xhumasë mbajtur në xhaminë e Parrucës, 8 mars 2019)

 


[1] Kur’ani, Et-Teube: 36.

[2] Transmatuar nga Imam Ahmedi, nga Ebu Dherri El-Gifari (r.a.).

[3] Kur’ani, El-A’rafë: 17.

[4] Kur’ani, El-Enfal: 24.