Atmosferë Ramazani në xhamitë e Shkodrës

Prej tri ditësh, Myftinia Shkodër ka nisur “Mexhliset e Ramazanit 1440”, ku imamët teologë po mbajnë ligjërata, që regjistrohen për t’u transmetuar edhe gjatë ditëve të Ramazanit në tv1 channel në emisionin tradicional: “Ramazani midis nesh”.

Ligjëratat e Ramazanit nisën ditën e hënë, më 29 prill 2019 në xhaminë “Ebu Bekër”, vijuan ditën e martë në xhaminë e Parrucës dhe u zhvilluan edhe pasditën e kësaj dite, më 1 maj 2019 në xhaminë e Urës së Bunës.

Ligjëratat do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme, në xhaminë e Medresesë dhe ditën e xhuma, më 3 maj 2019 në xhaminë e “Dy Vajzave”, në orën 19.00.

Aktivitetet në pritje të Muajit Ramazan 1440 do të mbyllen me mbrëmjen fetare, që do të zhvillohet ditën e shtunë, më 4 maj 2019, ora: 19.00 në oborrin e xhamisë së Parrucës, ku do të ketë edhe një program artistik me ilahi, sikurse do të shpërndahet kalendari i Muajit Ramazan, Kur’ani në gjuhën arabe dhe ai me përkthim në gjuhën shqipe.

Myftinia Shkodër ju fton ta shfrytëzoni kohën dhe të merrni begatitë e këtyre tubimeve me vlerë.