Me ftesë të Bashkësisë Islame të Ostrosit në Mal të Zi dhe Kryeimamit Irfan Kacaj, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ligjëroi mbrëmjen e së dielës, më 28 prill 2019 në xhaminë e Krajës.
Kjo vizitë dhe ligjërata e Myftiut vijnë në kuadër të bashkëpunimit në mes të dy myftinive, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vëllazërore në mesin e shqiptarëve.
Pas faljes së namazit të jacisë nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës, kryeimami i Ostrosit mbajti një fjalë, ku pasi falënderoi besimtarët e pranishëm për pjesëmarrjen, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë dhe uroi që këto vizita të sjellin forcim të bashkëpunimit dhe dobitë e tyre për besimtarët.
Më pas, Myftiu i Shkodrës mbajti një ligjëratë në atmosferën e muajit të begatë të Ramazanit, ku foli mbi kuptimet e takvasë në jetën e muslimanit.
Myftiu theksoi se takvaja (përkushtimi) është esenca që përftohet në jetën e besimtarëve pas një agjërimi të shëndoshë dhe të arritur.
Ai theksoi se muslimanët janë të ftuar ta jetojnë besimin dhe me të ta gjallërojnë jetën, nëpërmjet veprimeve të dalluara për ndershmëri, pastërti, moral, mirësi e vullnet për të ruajtur ekuilibrat e jetës.
Myftiu tha se feja islame është feja e jetës, jo e vdekjes dhe se, muslimani duhet të angazhohet për ta zhvilluar dëshmimin e fesë së tij në më të mirën e mënyrave, sidomos në familje, me farefisin, me komshitë dhe me tjetrin, kushdo qoftë ai.
Gjatë ligjëratës, Myftiu iu referua ajeteve dhe haditheve të shumta, që lidhen me këtë temë të rëndësishme në prag të muajit të përkushtimit.
Në fund të ligjëratës, Myftiu bëri edhe një lutje me të pranishmit duke dëahiruar më të mirën për ta, fëmijët, rininë dhe familjet e tyre.