Ditën e xhuma, pas namazit të iqindisë, me praninë e shumë besimtarëve dhe besimtarëve, u zhvillua ceremonia e mbylljes së Hatmes Sherife në xhaminë e Parrucës.
Leximi i plotë i Kur’anit Famëlartë, apo siç njihet ndryshme Hatmeja Sherife, tashmë është bërë traditë e përvitshme gjatë çdo muaji të Ramazani. Imamë të Myftinisë Shkodër, hafizlerë mysafirë nga Turqia, si dhe shumë besimtarë dhe besimtare mblidhen çdo ditë pas namazit të iqindisë dhe lexojmë çdo ditë nga një xhyz nga Kur’ani Famëlartë.
Kjo traditë e bukur e leximit të plotë të Kur’anit përfundon me ceremoninë e mbylljes së Hatmes Sherife, në vigjilje të Natës së Kadrit.
Ditën e sotme, pasi u krye falja e namazit të iqindisë, filloi programi me fjalën e hapjes nga teologu Arben Halluni, i cili falënderoi të gjithë ata, që morën pjesë në këtë Hatme, imamë, teologë, dy hafizlerët e ardhur nga Turqia enkas për muajin e Ramazanit, z. Fahri Furat dhe Muhamed Nurullah Kurkan, si dhe besimtarët e pranishëm.
Më pas, në emër të Myftinisë mbajti fjalën e rastit, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, i cili pasi falënderoi të pranishmit dhe dy hafizlerët nga Turqia, foli mbi rëndësinë e leximit të Kur’anit Famëlartë dhe lidhjen e fortë që duhet të ketë myslimani me Librin e Allahut.
Lutja e Hatmes Sherife u drejtua nga H. Fahri Ruat në gjuhën arabe dhe nga teologu Lavdrim Hamja në gjuhën shqipe.