Nata e Kadrit, që është e 27-ta e Muajit Ramazan, është nata më e mirë se njëmijë muaj. Ashtu, si për çdo vit, edhe këtë Ramazan, Myftinia Shkodër organizoi ditën e xhuma, më 31 maj 2019 një program të larmishëm me rastin e kësaj Nate të Begatë, që në fakt nisi me namazin e iqindisë, ku u mbyll edhe Hatmeja e plotë e leximit të Kur’anit Famëlartë dhe duaja e saj.
Pastaj, në mbrëmje, pas faljes së farzit të jacisë, në xhaminë e Parrucës, që ishte mbushur plot me besimtarë, madje edhe deri jashtë oborrit, teologu Lavdrim Hamja mbajti një ders të veçantë rreth vlerave dhe mirësive të Natës së Kadrit.
Programi vazhdoi me faljen e namazit të teravisë nga disa imamë dhe gjithashtu nga hafizlerët, të cilit edhe këtë Ramazan kishin ardhur nga Turqia.
Pas namazit të teravisë, u fal edhe namazi i tespihëve me xhematë, si një adhurim me vlera të shumta dhe me një shpërblim të madh.
Më pas, u bënë disa dhikre, salavate, dua dhe në fund u fal edhe namazi i vitrit, duke mbyllur kështu programin e Natës së Kadrit.