Paraditën e së mërkurës, më 11 shtator 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, diskutoi me imamët teologë mbi programin e derseve javore në xhamitë e Shkodrës.
Fillimisht, Myftiu u ndal tek realitetet e sotme shqiptare, ku tendenca e ekstremizmit dhe urrejtjes ndaj vlerave islame, sa vjen e shtohet, edhe me mbështetje politike dhe nga aktorë të ndryshëm të jetës publike në krejt trojet tona.
Myftiu tha se, përballë misionarëve të së keqes është e drejtë angazhimi i shumëfishtë dhe puna e pandërprerë në shërbim të Thirrjes Islame, larg egoizmit, vetëkënaqësisë e provincializmit.
U diskutua vijimësia e programit të derseve javore, ku u caktuan angazhimet e reja të imamëve të nderuar, si dhe u dhanë udhëzime që lidhen me disiplinën e imamit në detyrën e tij dhe raportet me institucionin dhe xhaminë.