Redaksia e FOLDREJT ka arritur të intervistojë njërin ndër imamët më me ndikim në trevat shqiptare. Myftiun e Shkodrës, Muhamed B. Sytari. Ai na flet për haxhin, që mbledh sëbashku grupe të panumërta shoqërore, që në vendet nga kanë ardhur mund të kenë fërkime, por nuk ndodh asnjëherë në atmosferën e Haxhit. Kur kujtojmë burrat e mëdhenj të së kaluarës shqiptare, Sytari shpreh keqardhje që bijtë e tyre sot udhëheqen nga një klasë politike që ka pranuar me pompozitet gjuhën e “integrimit të shqiptarëve”, sepse shqiptarët janë të Besës, nëse nuk devijojnë nga tabani i identitetit të tyre!
Foldrejt.com: Deshëm ta fillojmë me një pyetje rreth kushtit të pestë të Islamit. Çfarë ju la përshtypje nga Haxhi i fundit?
Muhamed B.Sytari: Fillimisht ju falënderoj për interesimin tuaj dhe dashamirësinë për të zhvilluar këtë intervistë.
Në përgjigje të pyetjes tuaj, fillimisht dua të theksoj se Islami është fé e ndërtuar mbi themele të forta, që e mbajnë njeriun të lidhur përherë me Zotin e tij, sikurse e nxisin në vazhdimësi për të qenë shembull i mëkëmbësit real të Krijuesit të gjithësisë mbi tokë.
Më fjalë të tjera, në themelet e Islamit gjendet e mishëruar shumë mirë thirrja për të respektuar dhe ndjekur urdhërin e Zotit dhe nxitja për të mëshiruar krijesat e Tij.
Nga këtu, edhe eksperiencat e udhëtimit të Haxhit sillen rreth këtij përkufizimi të dalë nga hulumtimet dhe studimet e thella të fesë islame. Nuk është krejt e lehtë të përmbledhësh përshtypjet e Haxhit me pak fjalë. Në përfundim të Haxhit të vjetshëm shkrova një libër që e titullova: “Lebbejke..!”, që mendoj se është një pikë e mirë referimi për leximin dhe perceptimin e këtij udhëtimi dhe adhurimeve që lidhen me të.
Sivjet (sikurse edhe më parë), më ka bërë përshtypje dhe më mbush me shpresë dhe mirësi fryma e vëllazërimit dhe bashkëpunimit në mesin e njerëzve, mirëkuptimi dhe toleranca e dëshmuar në krejt hapat e këtij adhurimi, që mbledh mbi 2 a 3 milion njerëz nga mbarë bota në një periudhë të shkurtër kohore.
Ke parasysh, janë grupe të panumërta shoqërore, që vijnë nga lindja e perëndimi, duke mbartur me vete kultura e tradita, zakone e sjellje, që mund edhe të ndikojnë në një farë mënyrë në shfaqjen e ndasive, konflikteve a fërkimeve në mesin e tyre, por nuk ndodh kështu në atmosferën e Haxhit. Asnjëherë nuk ndodh!
I sheh njerëzit të shkrirë në NJË, aty përpara Qabes së Madhnueshme, duke u lutur e duke kërkuar mëshirën e All-llahut. Ndihmohen në mes vete, shkëmbejnë buzëqeshje e lutje, i lirojnë vendin njëri-tjetrit, shpërndajnë mirësi e paqe, pa fund! Është një pamje e mrekullueshme, gati-gati në kufirin mes reales dhe ireales!
I sheh të tërhequr drejt dritës së besimit, të cilin e dëshmojnë pa ndrojtje e pa siklete, teksa luten e renden në tavafet e tyre, si grupet e zogjve që shtegtojnë nga një vend në tjetrin në kërkim të sigurisë, klimës së përshtatshme për jetë e për të ruajtur trashëgiminë e jetës.
Edhe haxhilerët, teksa sillen në tavaf, sikur i japin besën All-llahut të Madhëruar për të vazhduar të jenë njerëz besimtarë, mëshirues, ndërtues të jetës, përhapës të paqes, të bardhë në zemër e sjellje, si ngjyra e rrobës që kanë veshur, të zotuar e me vullnet të fortë për të ndjekur gjurmët e Hz. Ibrahimit (a.s.), njeriut me besim të jashtëzakonshëm e me karakter të fortë, që nuk u përkul përpara asgjëje në jetë; as dhunës, as persekutimit, as vetë shejtanit!
Më bën përshtypje të madhe, momenti kur njerëzit afrohen tek vendi i quajtur: “Rukni Jemani”, prej ku përsërisin në vazhdimësi ajetin kur’anor: “Zoti ynë na jep të mira në këtë botë dhe të mira në jetën e përtejme dhe na mbro nga dënimi i zjarrit”!
Ky moment më jep një shije të veçantë, sepse të gjithë lutemi që Zoti të na japë të mira në këtë jetë, poashtu edhe në tjetrën. Me fjalë të tjera, Kur’ani na frymëzon dhe na thërret që të arrijmë më të mirën në këtë jetë, qoftë në dije, qoftë në shkencë, qoftë në ekonomi, qoftë në moral, qoftë në humanizëm, qoftë në garancinë që dhurojmë me sjelljet dhe veprat tona, qoftë në modelet pozitive që japim në jetë, secili në fushën e tij.
Kështu duhet ta kuptojmë këtë pjesë të ajetit. Ndërsa pjesa tjetër është plotësuese e pjesës së parë. Që do të thotë se, nëse unë si besimtar musliman e kam jetuar jetën time duke u ruajtur nga devijimi dhe shthurrja, nga imoraliteti dhe padija, nga ekstremizmi dhe dhuna, nga arroganca dhe padrejtësia dhe, njëkohësisht kam ndërtuar vlera dhe mirësi nëpërmjet pozitës ku më ka vendosur Zoti në jetë (këtu mund të paramendosh me dhjetra e qindra profesione), atëherë rrugëtimi im është drejt xhenneteve të All-llahut, për të cilat i lutem që të më bëjë pjesë e tyre! Një njeri që kërkon “të mira në jetën e përtejme dhe na mbro nga dënimi i zjarrit”, nuk mund të arrijë këtë gradë e shpërblim, pa e dëshmuar veten në këtë jetë si të denjë për xhennetet e Zotit të tij! Pra, ky moment është një përkujtim i mirë për t’u kthyer nga Zoti.
Më vijnë ndër mend këtu mësimet e Hoxhës tonë rahmetli, kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro, që thoshte: “Kthimi tek All-llahu nuk është thjeshtë një fjalë që e themi, si zgjidhje e realiteteve tona! Kthimi tek All-llahu do të thotë kalim nga injoranca në dije, transferim nga përçarja në njësim, kthim nga armiqësia dhe urrejtja në dashamirësi dhe dashuri! Përderisa armiqësitë, urrejtja, veprat e ulëta, përgojimi, gënjeshtra dhe sjellja e keqe ndodhen në mes nesh, kjo do të thotë se, kthimi ynë tek All-llahu është thjeshtë një dëshirë ëndërrimtare: “… ata nuk ndjekin tjetër vetëm se hamendësime, e hamendësimi nuk vlen asgjë ndaj së vërtetës!”.
Nëse duam kthimin e vërtetë tek All-llahu, detyrim e kemi të mësojmë shkencat e ndryshme, të spikasim në veprat që kryejmë, të lartësohemi me sjelljen tonë, me përkushtim e korrektësi, si dhe me sinqeritet ndaj All-llahut; fshehtas dhe haptas! All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e All-llahut.”. Po muslimanët, a e shpenzojnë pasurinë e tyre për të udhëzuar nga All-llahu?”.
Foldrejt.com: Në lidhje me shqiptarët me maxhorancë muslimane dhe me vendndodhjen e tyre në perëndim. Si e shihni identitetin e sotëm shqiptar?
Muhamed B.Sytari: Fillimisht, më duhet të ndalem tek kjo pyetje e të shpjegoj se, përgjatë historisë, identiteti islam i shqiptarëve ka qenë përherë një element qytetërues dhe një kartë identiteti e pastër e dinjitoze, nëpërmjet së cilës shqiptarët janë njohur kudo nëpër botë si njerëz të urtë, të qytetëruar e kontribues të mëdhenj në mbrojtjen e vlerave dhe përhapjen e tyre.
Mos të harrojmë se për shekuj e shekuj, arnautët kanë drejtuar botën. Kanë qenë ministra e kyeministra, dijetarë e shkencëtarë, artistë e ushtarakë, arkitektë e udhëheqës me famë botërore, që kanë dhënë një kontribut të madh edhe në përhapjen e dritës së dijes e qytetërimit, edhe në botën perëndimore.
Në këtë kontekst nuk duhet të harrojmë emra të ndritur, si: Gjedik Ahmet Pasha, Ahmet Pashë Dukagjini, Lutfi Pasha, Koxha Sinan Pasha (pesë herë kryeministër i Perandorisë Osmane), Haxhi Halil Pashë Shqiptari, Arkitekt Sinani, Gjeneral Hajredin Barbarosa, Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Nezim Frakulla, etj.
Janë emra të shumtë kryeministrash, gjeneralësh, shkencëtarësh, poetësh, mendimtarësh e udhëheqësish shpirtërorë, që përhapën vlera kudo nëpër botë!
Kur i kthehesh kësaj historie të lavdishme dhe dëgjon sot, sa djathtas-majtas thirrje për “integrimin e shqiptarëve”, ndjej një keqardhje të madhe se përse lidershipi politik dhe klasa intelektuale shqiptare e pranon këtë gjuhë komunikimi me kombin e këtyre burrave të mëdhenj, që edhe Evropës i dhanë dritë e dije, pastërti e qytetërim!?
Ne nuk kemi nevojë të integrohemi, jemi të barabartë në mesin e popujve e kombeve, sepse kemi vlerat dhe historinë tonë, trashëgojmë një histori të madhe, që nuk duhet të lejojmë të na mbulohet e të na largohet nga vëmendja, sipas orkeseve dhe propagandave që e duan kombin tonë, këtu ku ndodhet sot, fatkeqësisht!
Prandaj, sa herë që përmendet Islami, shqiptarët duhet të ndjehen krenarë; muslimanët dhe të krishterët e tyre, sepse falë udhëzimeve dhe mësimeve të këtij Islami burimor, krejt pakicat fetare janë respektuar dhe u janë dhënë të drejta edhe mbi të drejtat e muslimanëve, gjë për të cilën dëshmojnë faktet historike.
Mos të harrojmë se muslimanët shqiptarë ishin strehuesit e hebrenjve në momente shumë të vështira për jetën e tyre, gjatë Luftës së Dytë botërore! Sepse muslimanët janë njerëz të Besës. Sepse shqiptarët janë të Besës, nëse nuk devijojnë nga tabani i identitetit të tyre!
Ndërsa ajo që dëgjojmë sot, sidomos nga politikanë të ndryshëm, kur flasin për identitetin dhe fetë, këshilla ime për ta do të ishte: Mos e fetarizoni politikën dhe mos fusni hundët në diskursin fetar nga pozita e politikës, sepse çaloni dhe humbisni vlerën e pozitës që ju takon; bini nga syri dhe humbni peshën e pozitës!
Ne jemi muslimanë, aq sa jemi, sikurse dikush tjetër është i krishterë, aq sa është! Ne bashkëjetojmë për mekulli, përderisa respektojmë njëri-tjetrin mbi baza sinqeriteti dhe përderisa nuk lejojmë të biem në batakun e servilizmit të politikave të lartpërmendura, që fetarizojnë politikën në dëm të kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tij!
Foldrejt.com: Në kohën e monizmit shqiptarët privoheshin nga besimi, kurse sot në liri shohim një trend në rritje të largimit të njerëzve nga feja. Përse ndodh ky fenomen?
Muhamed B.Sytari: Do ta ndaj në dy pjesë pyetjen tuaj. Fillimisht përsa i përket të kaluarës në diktaturë, ka dëshmi të shumta se si gjyshërit e baballarët tanë e ruajtën besimin dhe moralin e tyre, pavarësisht se nuk ishte aspak e lehtë të ruheshin disa ekuilibra në një kohë, kur frika, imponimi dhe angazhimi i njerëzve me një sistem të ri jete, sa vinte e rritej. Shto këtu edhe mbylljen hermetike të vendit dhe varfërimin e individit dhe shoqërisë, përveç një klase të caktuar, sikurse dihet tashmë.
Pavarësisht kësaj, njerëzit nuk e lanë agjërimin fshehtas, nuk e lanë mësimin e sureve të shkurtra, nuk e lanë frikën e Zotit në punë e marrëdhënie me njerëzit, pavarësisht se sistemi ateist nxori femrën nga shtëpia, shkatërroi familjen, futi alkoolin dhe haramet në ushqim e pije, përhapi gënjeshtrën dhe mashtrimin, luftoi fenë dhe shkatërroi infrastrukturën e saj, por jo vetëm. Pra, minosi bazamentet e vlerave dhe jetës së ndërtuar mbi pastërtinë dhe dashninë e Zotit!
Nga ana tjetër sot, mendoj se ka dy vështrime të gjendjes së shoqërisë shqiptare në raport me fenë. E para është dyndja e rinisë drejt xhamive dhe besimit, fakt që e dëshmojmë ditë pas dite në aktivitetin tonë fetar dhe thirrjen tonë për ruajtjen e identitetit, trashëgimisë historike dhe gjurmët qytetëruese të baballarëve. E dëshmojmë në ditën e xhuma, në ditën e bajramit, në muajin Ramazan, në udhëtimet përherë në rritje drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Umres dhe Haxhit, në rritjen e numrit të xhamive të reja, përherë në shtim, por jo vetëm.
E dyta është propaganda e madhe islamofobe, që lidhet edhe me ngjarje të mëdha të ndodhura në perëndim dhe gjendja aktuale e botës arabe dhe islame.
Pra, kemi në pamje të parë të rinj që vërshojnë drejt fesë së tyre, sikurse kemi edhe një propagandë dinake dhe të pamoralshme kundër Islamit dhe muslimanëve. Dhe në krye të kësaj propagande devijuese shohim dhe lexojmë emra të vjetër prej shërbestarëve besnikë të oborrit të diktaturës famëkeqe, si dhe bij të tyre besnikë, që vazhdojnë të vegjetojnë e të kërkojnë të spikasin në mediumet e ndryshme mediatike dhe rrjetet sociale me këtë që është sot, trend i kohës; islamofobia! Për këta kemi mëshirë dhe lutemi t’i udhëzojë Zoti drejt mëshirës dhe dritës së Tij!
Një gjë është e sigurtë, sikurse shkruan edhe dijetari i shquar bashkëkohor, Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi në tefsirin e tij të Kur’anit: “Njeriu më ahmak dhe më budalla, është ai që hyn në një hendek prej ku sulmon dhe kundërshton të vërtetën!? Sa njerëz në këtë botë janë munduar ta shuajnë Islamin dhe ta eliminojnë atë; vdiqën e shkuan dhe Islamin vazhdon” e do të vazhdojë!
“Ka një sulm të madh që i drejtohet fesë, pas shpine! … Rruga që kanë vizatuar për muslimanët, është largimi dhe distancimi nga feja e tyre dhe rregullat e saj, eliminimi i simboleve dhe emblemave! Kërkohet që të angazhuarit në shoqërinë islame, të jenë një model, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë. Një lloj, që nuk njihet për nga identiteti dhe ngjyresa fetare dhe ajo e moralit…!”, siç shkruan Shejkh Muhammed Gazaliu, rahmet pastë.
Foldrejt.com: Çfarë rëndësie ka Hafiz Sabri Koçi për Shkodrën dhe Shqipërinë?
Muhamed B.Sytari: Hafiz Sabri Koçi i përket brezit të fundit të talebeve të hoxhallarëve të shquar shkodranë, si: H. Muhamed Bekteshi, H. Sheuqet Boriçi, H. Esat Myftija, etj.
Ai ishte pjesë e grupit të fundit të përbërë nga 15 studentë, që morën ixhazet nga H. Muhamed Bekteshi në vitin 1952 dhe nisën rrugën e thirrjes, si imamë në xhami të ndryshme, kryesisht në fshatrat e Shkodrës, por në mes tyre kishte edhe nga Tetova, Ulqini, Elbasani, etj.
Pas daljes së tij nga burgu, në prag të rënies në dukje të diktaturës, u thirr të ishte në krye të besimtarëve muslimanë në ceremoninë e famshme të datës 16 nëntor 1990, te xhamia e Plumbit, ku qytetarët e Shkodrës e dëshmuan veten se besimi ishte aty, në zemrat e tyre, si fara e strukur në thellësinë e tokës, që mjafton pak ujë që ajo të nxjerrë kokën në kërkim të diellit e jetës!
Aty mbajti edhe fjalimin e tij të famshëm dhe drejtoi të xhumanë e parë masive, pas rënies së komunizmit, a në grahmat e tij të fundit.
E kam para syve fjalën e tij, sidomos kur thotë: “Neve kemi kenë t’penguem për pesëdhjetë vjet me radhë! Kemi pasë frikë t’themi se ka Zot! Kemi pasë frikë t’adhurojmë të Madhin Zot! Kemi pasë frikë t’kujtojmë se ka Barjam dhe Ramazan! Kemi pasë frikë se ka Netë t’Mira e të tjera! Kjo qe nji provë! Qe nji provë e fortë për me vërtetue sesa e thellë asht dashtunija e Zotit tek krijesat e Veta!”.
Ishte dhe mbeti simbol i spikatur, për t’u studiuar e për t’u vënë në peshore, për rolin e tij në ringritjenve strukturës së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për ecurinë e aktivitetit fetar dhe atij humanitar në ditët e drejtimit të tij, deri sa u largua nga kjo botë i rrethuar nga mirënjohja dhe nderimi i të gjithëve!
Foldrejt.com: Nga cilët imamë shqiptarë ju më shumë jeni ndikuar, ose ju kanë lënë mbresa?
Muhamed B.Sytari: Pa dyshim në krye qëndron Zotëria im, H. Vehbi S. Gavoçi, Hoxha i zemrës dhe Njeriu i bardhë, të cilin Zoti i gjithësisë e dërgoi në mesin tonë në Shkodër, menjëherë pas vitit 1990, për të na nxjerrë nga errësira në dritë, për të na kujtuar besën e shekujve, për të na zgjuar nga hutimi e nga gjendja e dëshpëruar ku ndodhej kombi në ato kohë!
Është pa dyshim një ndër shqiptarët më të mëdhenj të shekullit 20, si dhe dijetari më i spikatur shqiptar në botën islame, që dha një kontribut të madh në ruajtjen e traditës së pasur hanefite, por edhe si një shkollar i afirmuar gjithandej nëpër botë!
Sado të flas e të shkruaj për Zotninë e tij, nuk i dal borxhit, për mirësitë e tij ndaj nesh, fëmijëve të tij, kërkuesve të dijes, studentëve të parë të teologjisë jashtë Shqipërisë, pas vitit 1990!
Në verën e vitit 2002, pata mirësinë të rrij për një kohë të gjatë me Hafiz Sabri Koçin. Ishim vetëm për vetëm. Atë ditë e pyeta edhe për Hoxhën, H. Vehbi S. Gavoçi. Ndër të tjera më tha: “Ai ka kontribuar për muslimanët shqiptarë me literaturë të ndryshme edhe para ndryshimeve demokratike në vendin tonë. Asokohe ka bërë disa botime me shumë vlerë për kosovarët. Megjithatë, ka pasur shumë pengesa dhe e kanë dëmtuar shumë herë! Jashtë atdheut e kam takuar dhe ishte shumë i devotshëm dhe punëtor. Ka grumbulluar rreth vete fëmijë, burra e gra, duke mbajtur biseda, vasa e ligjërata të ndryshme, si e si ky popull të kthehet nga Zoti e feja. Gjithmonë kam kujtim të mirë për të… Në aspektin e ndihmesës së tij në literaturë fetare, Shejkh Vehbiu ka qenë jeta e Komunitetit Musliman Shqiptar! Veprat e tija të shumta, në një ambient të dominuar nga injoranca fetare dhe mungesa e intelektualëve islamë, ishin jetë! Ai e kishte kapur damarin aty, ku duhej. Ka bërë një shërbim të madh për ne, saqë ia kam zili atyre që janë njohur dhe kanë bashkëpunuar që herët me të…”.
Pastaj, dua të përmend eruditin e pashoq, Shejkh Shuajb Arnautin, rahmet pastë. Një dijetar i spikatur, sidomos në lëminë e verifikimit të haditheve të Resulull-llahut (a.s.). Veprat e studiuara, verifikuara e shpjeguara prej tij kalojnë kufijtë e logjikes, sidomos kur përmendim: verifikimin e Sahihul-Bukhariut (24 vëllime), verifikimin e Sunen Ebi Davud (7 vëllime), verifikimin e Sunen Ebi Maxheh (5 vëllime), verifikimin e El-Xhamiul-Kebir të Imam Tirmidhiut (6 vëllime), verifikimin e Musnedit të Imam Ahmedit (44 vëllime), etj.
Kam pasur rast ta takoj e të marr ixhazet prej dorës së Zotnisë së tij. Rahmet pastë, sa njeri i madh dhe i thjeshtë njëkohësisht që ishte!
Do të përmend edhe disa emra të nderuar, pa hyrë në detaje të aktivitetit të tyre, që e kam hulumtuar dhe vazhdoj ta studioj. Janë burra të mëdhenj, që i vlerësoj dhe i kam pika referimi në aktivitetin dhe punën time.
Këtu mund përmend hoxhallarët e nderuar: H. Sulejman Gavoçi, H. Jusuf Këlmendi, H. Ibrahim Kaduku, H. Ibrahim Repishti, Sheh Qazim Hoxha, H. Muhamed Bekteshi, H. Ali Kraja, H. Ali Korça, H. Ymer Bakalli, H. Ibrahim Dalliu, Salih ef. Myftia, Imam Vehbi Ismaili, etj.
Ishin burra të ditur, fetarë të shquar, atdhetarë të sprovuar, humanistë të lindur, fenerë të harmonisë fetare e kombëtare!
Foldrejt.com: Në fund, çfarë këshille i jepni të rinjve, që shpesh janë mes pesimizmit dhe kërkimit të shpresës në BE dhe ShBA?
Muhamed B.Sytari: Të rinjtë janë bekim për shoqërinë! Të rinjtë janë amaneti i Resulull-llahut (a.s.) dhe duhet të kemi shumë kujdes për ta, të mos i lëmë pas dore, të ulemi përherë me ta, të marrim e të japim, të dialogojmë e të kemi përherë në vëmendje fjalën e urtë të Hz. Aliut, që thoshte: “Edukoni fëmijët tuaj me një mënyrë ndryshe nga ç’jeni edukuar, sepse ata janë krijuar në një kohë, ndryshe nga koha juaj”. Këtu hyn edhe rinia. Sidomos rinia!
Këshilla ime është që mos ta humbin asnjëherë shpresën në mëshirën dhe bekimet e All-llahut, i Cili është përherë me ata që e duan dhe rrugëtojnë drejt dashnisë së Tij, duke mos u frikësuar nga hendeqet e shejtanit dhe vesveset e tij, si: frika për pasurinë, jetesën, kushtet ekonomike, kushtet sociale, ndërtimin e familjes, trashëgimin e jetës, etj.
Besimtari nuk ka frikë në jetë. Frika është e pakuptueshme, kur zemra është e ndërtuar me besim dhe e rrethuar me dashninë e Zotit. Aty nuk ka frikë për asgjë dhe prej asgjëje! Sepse çdo gjë është në dorën e Zotit, i Cili na ka nxitur të punojmë shumë, të mos bëhemi dembelë, të lodhemi shumë e të flemë pak, të shfrytëzojmë rininë, forcat mendore, shpirtërore e fizike, shëndetin e kohën e lirë për të arritur sa më lart në jetë, të mbështetur në Zotin dhe rrugëzgjidhjet që Ai jep, si mrekulli për ne!
Nuk kanë faj, kur kërkojnë shpresë në BE dhe ShBA. Janë vende të zhvilluara, ku vlerësohet njeriu, ku shfrytëzohet koha, ku shpërblehet mundi dhe arritjet, ku fitohet e drejta, ku ka shanse për të gjithë që dijnë të respektojnë ligjet, tjetrin, punën dhe ku, njeriu vlerësohet për vlerat e tij.
Këtë e them nga udhëtimet dhe eksperiencat e mia në ShBA dhe në shumë vende të BE, ku hapësirat për të zhvilluar një jetë plot shpresë e dinjitet, janë të dukshme.
Nga këtu, i këshilloj shpesh që kudo që të gjenden, të lenë gjurmë të mira, të jenë shembull, të mos shkelin ligjet e vendeve që i kanë hapur dyert për të zhvilluar jetën, të respektojnë besimet e shoqërisë ku jetojnë, sepse feja është e shenjtë për të gjithë, Kur’ani udhëzon: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time!”.
All-llahu e bëftë mirë për vendin tim dhe bashkëkombasit e mi dhe për mbarë njerëzimin, sepse e para dhe e fundit qëndron në fjalën e Hz. Muhammedit (a.s.), që thoshte: “Krijesat janë krejt nevojtarë për All-llahun dhe më i dashuri i tyre tek Ai, është më i dobishmi i tyre për ta!”