Pasditën e së mërkurës, më 25 shtator 2019, në ambientet e xhamisë së Parrucës u zhvillua ceremonia e promovimit të 13 hafizëve të rinj të Kur’anit Famëlartë, si pjesë e punës së palodhshme të Qendrës së Memorizimit të Kur’anit Famëlartë, pranë Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe Kryetari i Shoqatës “Istanbul”, z. Ridvan Seferaj.
I ftuar special i kësaj ceremonie të dëshmuar ishte edhe personaliteti i shquar islam nga Stambolli, Hoxha i nderuar, Osman Nuri Topbash, njëkohësisht “Qytetar Nderi” i Shkodrës.
Autori i mirënjohur i dhjetra titujve të spikatur, mbajti një ligjëratë me dobi, ku u përqendrua te shpjegimi i disa ajeteve kur’anore, që kanë të bëjnë me vlerën dhe madhështinë e Kur’anit Famëlartë.
Aktiviteti u ndoq nga qindra besimtarë të ardhur edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe miq të nderuar të ardhur nga Turqia, Kosova, Mali i Zi, etj., që kishin tejmbushur xhaminë e Parrucës.