Paraditën e së xhumasë, më 18 tetor 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt mendimtarin e shquar islam damasken, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për kontributin e pashembullt që ka dhënë Fondacioni “Shejkh Ahmed Keftaro” në Damask të Sirisë, si qendra më e madhe islame në Lindjen e Mesme, ku kanë marrë edukim elitar me mijëra thirrës islamë nga mbarë bota.
Myftiu tha se Siria ishte dhe mbeti djep i civilizimeve, prag i qytetërimeve të mëdha dhe vendi i madh i dijetarëve më të spikatur të botës islame në shekuj.
Nga ana e tij, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro, falënderoi Myftiun për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë e tij për këtë prani në Shkodër, si një djep i bashkëjetesës në mesin e besimeve dhe kulturave, sikurse vlerësoi kontributin e Myftiut Sytari dhe institucionit që ai drejton në ruajtjen dhe përhapjen e frymës së harmonisë ndërfetare, edukimin e brezit të ri me udhëzimin islam dhe përhapjen me krenari të mësimeve islame në Shkodrën e dijes dhe dijetarëve.
Gjatë këtij takimi, Myftiu e informoi mikun e shtrenjtë mbi historikun e Islamit në Shkodër dhe mbi disa botime të Myftinisë Shkodër.