“Përgëzoji të duruarit…”

Të dashur vëllezër e motra besimtarë!

Falënderojmë All-llahun e Madhëruar që e ruajti besimin në zemrat e njerëzve, edhe përballë kësaj sprove, jo fort të vogël, me të cilën u përballën së bashku, duke u privuar nga tubimet në xhami, nga atosfera e përvitshme e Ramazanit, nga mexhlisi i Kur’anit, nga aktivitetet e Muajit më të mirë, etj., në mbarë ymetin islam!

Atë e falënderojmë që kjo sprovë nuk vazhdoi edhe më tutje për të shkatërruar edhe më shumë ekonominë e brishtë të këtij vendi, ku një pjesë e mirë e njerëzve, mezi nxjerrin kafshatën e ditës, për vete e fëmijët e tyre, ndonëse koha ka ecur dhe kemi mbërritur në kufijtë e gjysmës së parë tëvitit 2020!

Në Kur’anin Famëlartë lexojmë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”.[1]

Imam Kurtubiu, në tefsirin e këtij ajeti, ndër të tjera shënon: “U sprovuan, që të ishin shembull edhe për ata që vijnë pas tyre, për ta ditur se ata duruan pasi iu bë e qartë e vërteta”.[2]

Këtu më vijnë ndër mend sprova të shumta që kanë kaluar shqiptarët përgjatë këtij shekulli, sprova që po të peshohen kalojnë rëndesën e maleve!

Pamundësia për të falur namazet në xhami, më solli ndër mend shënimet e ditarit të zotni Ahmet Bushatit, kur përmend Sulço beg Bushatin, për të cilin shkruan se: “Sulço begun me dom Lazrin i pushkatuen me 21 shkurt 1945… Kur Sulço begut dhe dom Lazrit u thanë që t’u bajshin gati se do t’i çojshin me i pushkatue, Sulço begu u kërkoi që ta lejojshin për me marrë abdes e me u falë, gja që ata ia lejuen… Mrapa, kur Sulço begu po u çonte prej s’falunit, ende pa u afrue mirë, i thirri dom Lazrit: T’bahna gati dom Lazër, se nji herë kena lé e nji herë kena me dekë… Sulço begu ishte aq i qetë para vdekjes, sa si të ishte tue shkue me ndrrue vend dhe jo me u pushkatue”.[3]

Poashtu lexova dhe solla ndër mend sprovën e Hafiz Musa Dërgutit, për të cilin dëshmohet se: “Me akuzën “dijeni për Lëvizjen e Postrribës”, ishte arrestue edhe i forti hafiz Musa Dërguti, për të cilin do t’u fliste, se kur kishte qenë në nji dhomë paraburgimi me Gjon Serreqin dhe i lidhun dorë për dorë me te, ishin pasëçue e ulë së bashku si të kishin kenë nji trup i vetëm, sa herë që gjatë ditës e natës t’i vinte vakti hafizit për me iu falë Zotit, si musliman e si hoxhë që ishte”.[4]

Para ca ditësh përcollëm Hafiz Musa Hoxhën 94 vjeçar (i fundit i zinxhirit të gjatë të nxënësve të devotshëm të hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës, me në krye H. Muhamed Bekteshin, ixhazeti i të cilit lidhi kohën e tij dhe bijtë e këtij vendi me Resulull-llahun (a.s.), nëpërmjet hallkave të forta të këtij zinxhiri të pandërprerë!), i cili, kur po bashkëbisedoja me zotninë e tij për sprovën e komunizmit, më thoshte se: “Kurrë nuk kam pi alkool, edhe pse na kanë sprovu shumë në periudhën e vështirë të ndalimit të fesë… Të gjitha xhenazet e Anës së Malit i kam vendú fshehtaz, në orë të vona të pasmesnatës, në borë e në shi, në dimër e në verë… Kisha frikë se dikush do na padiste, por na ka rujtë i Madhi Zot… Durim të madh kemi ba… Sepse vetëm me durim kalohen sprovat e jetës, elhamdulilah!”.

Më doli parasysh Myftiu i Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha, që teksa më tregonte për 23 vitet e burgut të tij, thoshte se: “Fillimisht, duhet të përmend se gjatë gjithë kohës në burg, jam munduar që obligimet fetare t’i kryej me rregull dhe të mos shkëputem nga adhurimi i Zoti!Kam falur namazin i ulur, kuptohet, pasi në formë normale ishte e pamundur… Kujtoj një rast. Ishte Ramazan. I kisha porositur familjarët të më sillnin një lugë druri.

Atje kisha një bidon alumini, ku përgatisja përshesh me çaj, të cilin e konsumoja në kohën e syfyrit, i shtrirë, për të mos u diktuar! Ndërsa, kur vinte koha e iftarit, sidomos në ato vite kur koha e tij vinte pas vaktit të darkës, merrja një plasmas, bukën e ndaja kafshatë-kafshatë.

Në atë kohë na nxirrnin për të parë lajmet e orës 20.00 dhe aty, nxirrja nga një kafshatë buke dhe me të bëja iftar! Ndërsa në mensë, ndërronim tasat me ndonjë prej shokëve dhe unë ngrihesha për ta larë tasin e tij bosh, duke dhënë për të kuptuar se kisha ngrënë!”.[5]

Vëllezër dhe motra!

Përballë këtyre kujtimeve e shembujve që përmenda, sprova e jonë nuk është asgjë! Prandaj ta falënderojmë All-llahun për mirësitë e panumërta, me të cilat në ka begatuar; për besimin, për shëndetin, për familjen, për praninë e imamëve tanë në mesin tonë, për institucionin e Myftinisë, që punon pa ndërprerje për të mirën e besimit dhe besimtarëve, për harmoninë dhe përpjekjen e vazhdueshme për të jetuar me dinjitet e krenari, si muslimanë e si shqiptarë të mirë!

Të dashurit e mi!

Muaji Ramazan, po bëhet gati t’i lërë vendin Shevvalit, muajit të Fitër Bajramit, agjërimit të 6 ditëve shoqëruese të Ramazanit, për të cilat Resulull-llahu (a.s.) thotë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë nga Shevvali, do t’i shkruhet agjërimi i krejt vitit”[6], adhurimeve dhe qëndrimit në besën e këtij Muaji të begatë!

Ta ruajmë besën e Ramazanit, të vazhdojmë në ritmet e tij, të ruajmë gjuhën, të kontrollojmë fjalën, të shtojmë punën e të lodhemi ditë-natë për të fituar hallallin tonë, për të ruajtur fëmijët nga devijimi dhe e shtrembërta, për të jetuar në paqe më Zotin tonë, për të dëshmuar begatitë e Tij me përkushtimin e zemrës dhe sakrificën e gjymtyrëve!

Të mos harrojmë se deri në ditën e fundit të këtij muaji, kemi mundësi për të ndarë sadekatul-fitrin, ndihmën bujare për shumë e shumë familje në nevojë; 300 lekë të reja për person, brenda mundësive të secilit, si dhe të bëhemi gati për ta përcjellë me mall e përkushtim këtë mubarek!

All-llahumme pranoje prej nesh këtë Muaj të begatë, adhurimin e tij, përkushtimin dhe sakrificat, lutjet dhe leximet ditore të Kur’anit Famëlartë! Bëje Kur’anin pranverë të zemrave tona, pastrim të dyshimeve, largim të pesimizmit dhe burim shprese dhe drite për të gjithë ne!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 22 maj 2020,
pas periudhës 10 javore të mosfunksionimit të xhamive,
për shkak të masave të marra me rastin e pandemisë Covid 19)

 

 


[1] Kur’ani, El-Bekare: 155-157.

[2]Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li-ahkamil-Kur’an­, Darul-Hadith, Kajro, botimi i dytë, 1996, vëll. i 2-të, f. 178.

[3]Ahmet Bushati, Në gjurmët e nji ditari, Camaj-Pipa, Shkodër, 2007, f. 81.

[4]Po aty, f. 172.

[5]MuhamedSytari, FaikHoxha para pasqyrëssënjëjete, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 29-30.

[6]TransmetuarngaMuslimi, ngaEbuEjjubi (r.a.).