Fitër Bajrami, ditë gëzimi, moment reflektimi!

Ditën e diel, më 24 maj 2020, që në orët e para të mëngjesit, muslimanët e Shkodrës tjembushën xhamitë e qytetit dhe të fshatit, për faljen e namazit të sabahut dhe vazhdimin me ritualet e Fitër Bajramit të këtij viti.

Kjo pamje ngazëllyese, ishte pamja më e bukur e tij viti, sidomos pas një periudhe të mbushur me propagandë frike e paniku, për shkak të realitetit global, me të cilin po përballet bota.

Kjo ishte dëshmia më e bukur se Islami në këtë qytet e në këtë vend po lulëzon e po rimëkëmbet, si asnjëherë tjetër në historinë e tij shumëshekullore, si një bekim për këtë popull r këtë tokë.

Ceremonia kryesore e Fitër Bajramit të sivjetshëm u zhvillua në xhaminë e Parrucës, ku dy imamët e saj, H. Naim Drijaj dhe H. Durim Kasemi, ligjëruan para besimtarëve, duke hedhur dritë mbi detyrat e muslimanit pas Muajit Ramazan dhe shembullin e yë devotshmëve, që All-llahu i Madhëruar i quan në Kur’anin Famëlartë, si: “robët e të Gjithëmëshirshmit”.

Imamët e nderuar thanë se përkushtimi i Muajit Ramazan duhet dëshmuar që nga dita e sotme e në vijim, për të dëshmuar secili mirësinë dhe bekimet e fituara në Muajin e Begatë.

Ligjërata kryesore e kësaj dite ishte ajo e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nëpërmjet të cilës ai drejtoi disa mesazhe për të pranishmit, për politikën, për shoqërinë shqiptare dhe mbi të gjitha ftoi besimtarët për t’u zgjuar nga rutina dhe për t’u përgatitur për përgjegjësitë e mëfha që ka muslimani i këtij shekulli.

Nën drejtimin e Myftiut u bë edhe falja e namazit të Fitër Bajramit, ndërsa hytbeja e kësaj feste u mbajt nga imami i xhamisë, H. Naim Drijaj.