Mundeni shejtanin, mundeni paragjykimin e shoqërisë..!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili i bëri ditët e Haxhit dëshmi të pashembullt të madhështisë së teuhidit, uniteti në mesin e muslimanëve dhe reflektim për të parë secili në veten e tij dhe në shoqërinë e tij, ekuilibrat e fesë, moralit, energjisë për mirë dhe shpejtimit drejt ndërtimit në jetë.

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, dritës së syve, mallit të zemrës, frymëzimit të shpirtit, ma të Mirit, zotërisë së bijve të Ademit, ndërmjetësuesit në ditën e gjykimit, Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit mëshirë për mbarë botrat, i cili thotë: “Ai që e bën Haxhin, pa shkelje e pa gjynahe, do të kthehet si ditën që e ka lindur nëna e tij” – [Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Nuk ka ditë, ku All-llahu liron prej robëve të Tij nga zjarri, më shumë sesa në ditën e Arefatit. Ai zbret pranë tyre, pastaj mburret me ta para melekëve dhe u thotë: Çfarë kërkojnë këta?” – [Muslimi, nga nana e jonë Aishe (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Nga Umreja në Umre fshihen gjynahet në mes tyre, ndërsa Haxhi i mbarë nuk ka shpërblim tjetër veç xhennetit!” – [Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Pasojeni Haxhin me Umre, sepse vazhdimësia në mes tyre i fshin gjynahet, si zjarri ndryshkun e hekurit!” – [As’habus-Sunen, përveç Ebu Davudit, nga Omeri (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Do të vijë ky Gur (Guri i Qabes) në ditën e kiametit, me dy sy, me të cilët do të shohë dhe me një gjuhë, me të cilën do të flasë, do të dëshmojë për këdo që e ka prekur me të drejtë!” – [Ibn Maxheh, nga Ibni Abbasi (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Prekja e atyre të dyve (Gurit dhe Rukni Jemanit), fshin gabimet” – [Tirmidhiu, nga Ibni Omeri (r.a).]

Dhe thotë poashtu: “Rukni dhe Mekami janë dy xhevahire prej xhevahireve të xhennetit dhe, sikur All-llahu të mos ia kishte shuar dritën e tyre, do të kishin ndriçuar në mes lindjes dhe perëndimit!” – [Tirmidhiu, nga Ibni Abbasi (r.a).] Etj.

Të dashurit e mi,

Mirë se ju gjeta, pas kthimit nga Haxhi i sivjetshëm, ku rreth 40 vetë prej vëllezërve dhe motrave tuaja, iu bashkuan karvaneve nga mbarë bota në dëshminë më madhështore të besimit dhe dashnisë ndaj All-llahut, në vendet e shenjta; Mekë e Medine.

All-llahun e Madhëruar e falënderojmë pa fund që e desht fort Shkodrën e Shqipërinë dhe nga mesi i këtij populli, që përpëlitet sot, në momentet më dramatike të historisë së tij kombëtare, zgjodhi me qindra delegatë, për të vizituar Shtëpinë e Tij, për t’ua falur gjynahet, për të kërkuar falje e bërë lutje, për të vizituar Resulull-llahun (a.s) e për t’i dhënë selam, për të dëshmuar bukurinë dhe mrekullitë e fesë islame në bashkësinë më të përzgjedhur të vitit! Për të shijuar madhështinë e fjalës YMMETI ISLAM, por jo vetëm!

Të dashurit e mi,

Kam mendur gjatë, atje dhe këtu, sesa mirësi e madhe është të jesh musliman! Nuk ka mirësi më të madhe në jetë! Nuk ka as pasuri, as miradi, as mirëqenie, asgjë prej gjëje, që krahasohet me këtë mirësi, që ruan ekuilibrat e krejt mirësive në jetë.

Më lejoni të sjell ca shembuj. U ngjitëm në Hira, ku edhe macet e bekuara qëndronin me besnikëri në gjurmët e Resulull-llahut (a.s). Ndoshta atë dashuri që Zotëria i jonë shprehu ndaj tyre, sa ishte në këtë botë, ata e ruajtën për Pejgamberin tonë, deri në kiamet, njësoj si trungu i hurmës, deveja, guri e druri, Uhudi e krejt krijesat që e deshtën dhe u përmalluan për të…

Mendova, sikur të ishte sot, në mesin tonë Resulull-llahu (a.s) dhe të na pyeste për besimin, fenë tonë, veprat tona, familjet tona, detyrimet ndaj Thirrjes Islame, përkrahjen e nevojtarëve, ruajtjen e moralit dhe nderit, frenimin nga haramet dhe mekruhatet në jetë etj., etj., çfarë do i thonim?

Mendova, mbi 1200 shkallë të gurta të ç’rregullta për t’u ngjitur drejt Hirasë. Zotëria i jonë është ngjitur pa këto shkallë, në kërkim të Zotit, logjikës së fesë, shpirtit dhe ngrohtësisë së tij. Sot, i kemi para duarve; Kur’anin, Hadithet, Shembullin e përkryer të Hz. Muhammedit (a.s), pa pasur nevojë të ngjitemi nëpër male e shpella, pa vështirësi e pa ndrojtje, por sa jemi muslimanë në të vërtetë? Sa jemi përvetësues të këtyre mësimeve, praktikantë të tyre, përhapës të tyre tek të tjerët, që shoqëria e jonë të bëhet përditë e më shumë muslimane, optimiste, krenare, pastërtore, urtake, e ditur, e qytetëruar…

Mendova, gjatë Haxhit, të gjithë mundohemi të ruhemi nga ndonjë fjalë e tepërt, nga bisedat e kota të kësaj bote, deri edhe mizën s’e trazojmë, as mushkonjën, që na pickon, as fijen e barit s’e lëndojmë, vështrimet i kontrollojmë, mendimet i qetësojmë, transformohemi në njerëz të bardhë, me rroba të bardha, me mendime të bardha, me fjalë të bardha. Pse të mos e mbajë gjithësecili prej nesh besën e Haxhit edhe në Shkodër, në Shqipëri, kudo në botë?! Pse të ms jemi HAXHI, sa të jemi gjallë?

Ishim mbi dy milionë nga mbarë bota. Ndoshta edhe më shumë. Vetëm buzëqeshje. Vetëm dëshirë për të ndihmuar. Vetëm dëshirë për të bërë mirë, deri edhe me një gotë uji zemzemi a një shishe uji të ftohtë, deri edhe me një pecetë për të fshirë djersët, deri edhe më një hurmë të vogël, një biskotë, një kafshatë buke… Nuk dëgjuam asnjëherë fjalën “terror”, as “vrasje”, as “grabitje”, as “shpërthime”, as “thyerje të simboleve fetare joislame”, as “shkelje e poshtërim të drejtave të jomuslimanëve”, asnjëherë! Të ishim ndryshe, edhe mund t’i dëgjonim e mund t’i thonim e ndanim me të tjerët me shumë krenari, por jo, ne nuk jemi veçse MUSLIMANË DHE JEMI KRENARË PËR FENË DHE PËRKATËSINË TONË!

Të dashurit e mi,

Çfarë e pengon muslimanin e sotëm shkodran e atë shqiptar për të mësyer derën e xhamisë? Përse brezi i djegur nga kolera ateisto-komuniste heziton të kthehet nga Zoti, me pretekstin se nuk di asnjë sure e nuk di si falet namazi? Po pse, kush prej nesh ka ditur? Kush prej nesh di sa e si duhet, realisht?

O të dashur, mos ia privoni vetes mrekullinë e Dashnisë së Tij, e cila kur depërton në zemrën e njeriut e zbukuron dhe e dritëson atë! E bën njeriun melek, që ha dhe pi, që jeton jetën i nënshtruar para vullnetit të Hakut!

Çfarë e pengon muslimanin e sotëm shkodran e atë shqiptar për të ruajtur gjuhën, mendimet, veprimet, për të lënë haramet, për t’u divorcuar nga jeta pa besim dhe rutina e mbushur me fodullëk e mungesë larmie?!

Ndërkohë, në fillim të kësaj hytbeje përmenda një mori hadithesh të sakta, që nxisin kryerjen e Haxhit dhe Umres. I përmenda me qëllim në këtë hytbe të parë pas kthimit nga vendet e shenjta.

Bëjeni nijet qysh sot, sapo të dilni nga xhamia, që vitin tjetër të kryeni Haxhin a të paktën një Umre dhe, nisni e kurseni e grumbulloni nga hallalli juaj, sa të keni mundësi! Pas çdo namazi lutuni për këtë qëllim fisnik! Vallahi, do ju japë Zoti mbarësi dhe do ju ndihmojë në nijetin tuaj.

Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Ai që don të kryejë Haxhin le të shpejtojë, sepse mund të sëmuret i sëmuri, mund të humbasë mjetin e mund t’a mbulojnë nevojat!” – [Ibn Maxheh, nga Ibni Abbasi (r.a).]

Ndërkohë, thoshte: “… Haxhiu dhe ai që bën Umren, janë delegatët e All-llahut, i ka ftuar dhe i janë përgjigjur, i janë lutur dhe i është përgjigjur!” – [Ibn Maxheh, nga Ibni Omeri (r.a).]

Mundeni shejtanin, mundeni paragjykimin e shoqërisë, mundeni nefsin dhe çdo pengesë, që ju del para nijetit të pastër për të përfituar këto mirësi të papërshkrueshme e të pakrahasueshme besimi! All-llahu jua mundësoftë që vitin tjetër të jeni prej Haxhive të Shkodrës! Edhe unë me ju! Amin, amin, amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 23 shtator 2016

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e “Dy Vajzave”)