Myftiu i Shkodrës ligjëroi në tubimin e nismës për xhaminë e re në Mengen të Gjermanisë
Me ftesë të Bashkësisë Islame Shqiptare në Mengen të Gjermanisë, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në tubimin historik për nismën e ndërtimit të xhamisë së re në Mengen të Gjermanisë, që u zhvillua ditën e shtunë, më 27 prill 2024.
Programi fetaro-kulturor, që zgjati rreth 6 orë, ishte i pasur me fjalime dhe përshëndetje për të pranishmit, këndime të ilahive, salavateve dhe ligjëratave nxitëse për këtë vepër të madhe.
Programin e udhëhoqën vëllezërit Mr. Ensar Sinani dhe Mr. Evzal Sinani, të cilët ishin në nivelin e duhur për të mbajtur aktiv shpirtin e bamirësisë, nëpërmjet mesazheve dhe thirrjeve të urta drejtuar besimtarëve.
Të pranishmit u përshëndetën nga H. Adnan Abdiu – Kryetari i Këshillit organizativ, H. Mensur ef. Halili – Kryetar i Unionit të Qendrave Islame në Gjermani, Dr. Reshat Ibishi – Kryetar i BFI të Italisë dhe Reisul-ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. H. Shaqir ef. Fetahu.
Në këtë mbrëmje të paharrushme ligjëroi edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, si dhe teologu Ardian Sejdiu, nga Ferizaj i Kosovës.
Aktiviteti u zbukurua me këndimet e bylbylave të trojeve shqiptare, H. Egzon Ibrahimi, i mirënjohur për leximin e Kur’anit Famëlartë dhe ilahist i famshëm me famë botërore, i shoqëruar nga H. Venhar Osmani, si dhe Mr. Eljesa ef. Hasani, Drejtor i institutit të Hifzit në Gostivar.
Besimtarë të shumtë, burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë, mysafirë e dashamirë nga shumë qytete të Evropës, nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe Italia, dhanë kontributin e tyre të dëshmuar, duke vërtetuar përkushtimin e shqiptarëve për ndërtimin e xhamisë së parë në historinë e këtij qyteti në Gjermani.
Në harkun e 6 orëve, përgjatë një tubimi maratonë, u mblodhën mbi 500 mijë euro, që do të ndihmojnë fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re në Mengen.
Allahu e begatoftë këtë nismë të re dhe e bëftë dëshmi të Rimëkëmbjes së vlerave islame e humane!