Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë të vetmit Zot të gjithësisë, All-llahut të Madhëruar, i Cili e bëri ngjarjen e Hixhretit, shenjë prej shenjave të madhështisë së Islamit ndër shekuj.
I përjetësoi në Kur’an disa nga detajet e tij, si për të na tërhequr vëmendjen drejt leximit dhe përkujtimit të duhur të kësaj ngjarjeje, që u bë stacioni kryesor i triumfit islam deri në kiamet!
Thotë në suren El-Enfal: “Përkujto (o i dërguar), kur ata që nuk besuan thurnin komplote kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata thurrnin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).” – (Kur’ani, El-Enfal: 30)
Po të lexojmë me vëmendje këtë ajet kur’anor, që na ballafaqon me fazën përfundimtare të përgatitjeve dhe tërbimit të femohuesve kundër Resulull-llahut (a.s) dhe Thirrjes Islame, (që shkoi deri aty, sa menduan dhe ranë dakort ta asgjësonin të dërguarin e All-llahut), si dhe ta krahasojmë me realitetet e përditshme, me të cilat ne muslimanët përballemi ditë pas dite, kudo nëpër botë, do të shohim sesa emërues të përbashkët ka në mes tyre!
Përkujtimi i përvitshëm, a edhe më i shpeshtë i Hixhretit, si ngjarje madhore në historinë tonë islame, na bën mirë të gjithëve sepse, në një mënyrë a një tjetër, na merr për dore drejt zgjimit, drejt dinamikës së veprimit, drejt gjallërimit të aktivitetit tonë si shoqëri islame, drejt angazhimit të individit islam me vetveten dhe besimin e tij, drejt forcimit të lidhjeve në mesin e muslimanëve, drejt gjetjes së rrugëve për konvertimin e kësaj lidhjeje të shenjtë dhe harmonisë sociale, në dëshmi konkrete që përjetohet, në përditshmërinë tonë, në organizimet e pakufijshme shoqërore!
Të dashurit e mi,
All-llahu i Madhëruar, Ai që ia mundësoi Resulull-llahut (a.s) Isranë dhe Miraxhin në hapësirat e ca orëve të një nate të vetme, do t’ia kishte mundësuar edhe hixhretin, sa hap e mbyll sytë, me anë të Burakut a të ngjashëm me të, a me çdo formë a mënyrë, për të cilën, a për të cilat, Zoti i gjithësisë është i Plotfuqishëm!
Por, All-llahu i Madhëruar na mësoi se në jetë, muslimani duhet të përdorë mendjen, logjikën, shkaqet e suksesit, të ndjekë rrugët dhe shtigjet e tij, edhe ato më të lodhshmet e më të paparashikueshmet, duke u mbështetur në krye të herës në All-llahun e Madhëruar dhe duke kërkuar bekimet e Tij për të ecur përpara!
Kështu ndodhi edhe me Pejgamberin tonë (a.s), i cili u përgatit materialisht për hixhretin, bëri një plan të detajuar, në rrugën e të cilit do të dilnin edhe të papritura, prej të cilave i gjithë ymmeti do të mësonte më pas dhe do të vazhdojë të nxjerrë mësime, deri në kiamet!
Vëllezër dhe motra,
Sot, në mbarë minberet e botës islame mbahet e ashtuquajtura hytbe e zemërimit, ku sipas udhëzimit të Lidhjes Botërore të Dijetarëve të Muslimanëve dhe Presidentit të saj, Shejkh Jusuf El-Karadavi, hatibët janë të ftuar të shprehin zemëratën e mbarë ymmetit islam për holokaustin, me të cilin po përballet populli sirian, qyteti i Halebit në veçanti!
A nuk ju thotë gjë ky fakt? A nuk ju duket se, teksa shohim çdo ditë qindra e mijëra fëmijë të mitur, të posalindur, gra e pleq, të rinj e burra, që bombardohen dhe vriten mizorisht, që helohen e digjen për së gjalli nën sytë e mbarë botës së “qytetëruar”, (edhe shteteve me potenciale ushtarake dhe sigurie, sa për të garantuar paqen në krejt universin) se, po lexojmë në realitetet e jetuara të botës islame komplotet e femohuesve ndaj Islamit dhe të dërguarit të tij?! “Përkujto (o i dërguar), kur ata që nuk besuan thurnin komplote kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata thurrnin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).” – (Kur’ani, El-Enfal: 30)
Kjo është e vërteta e hidhur! Ne muslimanët sot, po luftohemi kudo që jemi! Ne muslimanët sot, po përballemi me fushata të pashembullta të urrejtjes, denigrimit, hileve dhe mashtrimit, falë politikave të padrejta, të pandershme dhe johumane, që kanë për qëllim dobësimin e Islamit, shpërbërjen e shoqërisë islame, vrasjen e shpresës tek muslimanët, mbytjen e optimizmit dhe largimin e shpirtit islam nga e përditshmja e fëmijëve tanë, e familjeve tona e rretheve tona muslimane!
A nuk është ky një realitet, që e dëshmojmë gjithandej në shoqërinë tonë, ku ka edhe prej muslimanëve me trashëgimi familjare, që e konsumojnë alkoolin, që nuk e respektojnë hixhabin në familjet e tyre, që flasin me paragjykim për të mbuluarat me hixhab, që nuk e falin namazin, që tolerojnë zhveshjen graduale të vajzave të reja, duke e konsideruar këtë si element të modës, që nuk lexojnë Kur’anin Famëlartë, jo se janë analfabetë, por se nuk kanë vullnetin e duhur për të mësuar gjuhën e tij, që nuk prezantojnë as për namazin e xhumasë, as për bajrame, që kanë alergji edhe nga këndimi i ezanit (në këtë pikë, janë pak a shumë të ngjashëm në arsyetim me taborrat e Iblisit të mallkuar, që kanë fituar kurajo të na e përmendin ezanin me gojët e tyre të palara, sepse ne kemi fjetur, në mos kemi “vdekur”!?), që nuk pyesin për mishin e haramit, që e konsumojnë ata dhe fëmijët e tyre, që nuk kanë dert a e kanë merituar me hallall rrogën mujore (nëse kanë një të tillë, në këtë vend të prapambetur e të zhytur në korrupsion e harame), që nuk hezitojnë të gënjejnë për një interes banal e kalimtar të kësaj bote, që nuk e kanë problem nëse nuk agjërohet në shtëpitë e tyre, kur hyn Hana e Ramazanit, që nuk e japin zekatin, që nuk shkojnë në Haxh, kur është koha për të shkuar, as dërgojnë një bedel për prindët e vdekur etj, etj!?
Pavarësisht kësaj, ata janë njerëzit tanë, që duhet të dalim me shumë kurajo e dëshirë të mirë drejt tyre, t’i marrim për dore drejt origjinës së tyre, drejt Islamit, drejt bekimit, drejt shpëtimit! Hixhreti ynë sot, është të dalim nga xhamia në rrugë, në shtëpi, në rrethet familjare, në shoqëri dhe me krenari e dinjitet të ftojmë njerëzit në Islam, në shpëtim!
Këto lëngata dhe shumë të tjera, duhet të na zgjojnë e të na ndërgjegjësojnë se, ne muslimanët, pa u forcuar në fenë tonë, nuk kemi asnjë të ardhme! Sepse në fund të fundit, çdo gjë bëhet për shkak të fesë! Krejt këto përpjekje të panumërta të misionarëve të së keqes, të shirkut, të ateizmit, të afetarizmit e të ngjashëm, në këtë vend, në qytetin tonë e mbarë Shqipërinë, bëhen kundër Islamit, fesë së shumicës dominuese të shqiptarëve!
Prandaj, përkujtimi i Hixhretit, duhet të shërbejë që secili të ulet dhe të meditojë e të reflektojë, duke parë veten në pasqyrën e ymmetit islam, që po vritet e po digjet, po bombardohet dhe po zhvatet sot, ditën për diell, nën sytë e mbarë botës së zhytur në hipokrizi dhe injorancë, paragjykim dhe pashpirtësi!
Për fund të kësaj hytbeje,
Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, ma të Dashtunit e ma të Mirit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na mësoi se si të nisim e të përgatisim veten me moralin e Hixhretit në jetë, kur iu drejtua axhës së tij Ebu Talibit: “O axhë, pasha All-llahun, po të ma vinin diellin në të djathtën time dhe hënën në të majtën time për ta lënë këtë çështje, nuk do ta lija, derisa të triumfonte me mbarësinë e All-llahut, ose të shuhesha në këtë rrugë!” – (Ibn Is’haku, nga Jakub ibni Utbe)
Me fjalë të tjera, secili prej nesh duhet të lartësohet deri në atë gradë shpirtërore e morale sa, përballë kryqëzatave të kohës dhe të rekrutuarve të së keqes, ta ketë përherë një përgjigje nderi, pas së cilës ia vlen edhe të vdesë në rrugën e mbrojtjes së besimit me dinjitet: “O njerëz, pasha All-llahun, po të ma falni krejt Shkodrën e mbarë Shqipërinë, po të ma mbushni gjoksin me medalje dhe çmime hipokrite, po të ma lartësoni emrin e të më siguroni shpërblime e interesa materiale, si e si t’i kthej shpinën fesë sime, a ta shes atë, nuk e bëj, derisa të kem frymë.
Edhe në prag të vdekjes, amaneti im i fundit për fëmijët e mi, nipat e pasardhësit do të jetë ai i Hz. Jakubit (a.s): “A ishit ju (ithtarë të librit) dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja, e ai bijve të vet u tha: “Çka do të adhuroni pas meje”? Ata thanë: “Do ta adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Një, të vetmin Zot dhe ne, vetëm Atij i jemi dorëzuar”!” – (Kur’ani, El-Bekare: 133)”
Kjo frymë duhet të na mbajë të gjallë e të na frymëzojë për të ndjekur me vëmendje zhvillimet e vendit, të cilin e kemi amanet, njësoj si edukimin e fëmijëve tanë me Islam, me Kur’an, me moral e me shembullin më të përsosur të historisë së njerëzimit, atë të Hz. Muhammedit (a.s) dhe me besimin në Një Zot të Vetëm, i Cili nuk ka as fëmijë, as ortak!
Lexim të mbarë të mësimeve dhe stacioneve të panumërta të Hixhretit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 30 shtator 2016
(Hytbeja e mbajtur në xhaminë “Ebu Bekër”)