Sesion shkencor mbi aktivitetin e dijetarit shqiptar, H. Ali Ulqinaku

Pasditen e së mërkurës, më 14 dhjetor 2016, Myftinia Shkodër organizoi një sesion shkencor mbi jetën dhe aktivitetin e dijetarit të shquar të trojeve tona, Hafiz Ali Ulqinaku.

Aktiviteti, që u zhvillua në bibliotekën e qytetit Shkodër, u hap me fjalën e rastit, mbajtur nga teologu Lavdrim Hamja, i cili hodhi dritë mbi lindjen, fëmijërinë dhe aktivitetin e përgjithshëm të H. Ali Ulqinakut.

Më pas ligjëruan, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, Mr. Ali Bardhi, Kryeimam i Ulqinit dhe teologu Arben Halluni.

Në kumtesat e tyre, tre ligjëruesit hodhën dritë mbi vlerën e veprës "Mevludi", në gjuhën shqipe, u bënë krahasime në mes veprës së H. Ulqinakut, asaj të Sheh Ahmed Shkodrës dhe Ilahive të Hafiz Jusuf Këlmendit, si nxitës të shkrimit shqip të teksteve të bukura fetare, poezive dhe vargjeve tërheqëse për lexuesit.

Njëkohësisht u hodh dritë mbi gjurmët e Hafiz Ali Ulqinakut në Arkivin e Stambollit, si dhe aftësitë e tij intelektuale, besimore dhe sociale, për të cilat u zgjodh të shërbente edhe si Myfti në një zonë delikate, si Lezha.

U theksua se dijetarët dhe hoxhallarët e shkuar të trojeve tona kanë dhënë kontribute të mëdha për ruajtjen e vlerave të besimit, atdhetarisë, gjuhës shqipe dhe harmonisë kombëtare.

Pas tri kumtesave të programuara, u lexua edhe një pjesë nga Mevludi i Hafiz Ali Ulqinakut, mbi Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), që u shoqërua me këndimin e salavateve nga salla.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të institucioneve fetare, imamë, teologë, pedagogë të Universitetit të Shkodrës, intelektualë e besimtarë të ndryshëm, që ndoqën me kënaqësi këtë tubim vlerash.

Aktivitetet në kuadër të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), vijojnë ditën e nesërme, të enjten, më 15 dhjetor 2016, pas namazit të akshamit në xhaminë e Parrucës, ku do të zhvillohet një Tribunë Fetare me temë: "Ringjallja e Traditave Islame", ku do të ligjërojnë teologu Durim Kasemi, imam i xhamisë Parrucë, si dhe teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së "Dy Vajzave".