Paraditën e së enjtes, më 15 dhjetor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit dhe fshatit, me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në mbarë botën islame dhe domosdoshmërinë e solidarizimit me krejt format legjitime.
Në qendër të vëmendjes ishte katastrofa humanitare, vrasjet, krimet barbare ndaj njerëzimit, përdhunimet, bombardimet dhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut në Haleb të Sirisë, por edhe në vende të tjera të botës, ku po luftohet Islami dhe muslimanët.
Myftiu kërkoi nga imamët që ditën e nesërme, të xhumanë, më 16 dhjetor 2016, në të gjitha xhamitë e Shkodrës të mbahet një Hytbe Zemërimi dhe Solidarizimi me Halebin dhe mbarë Ymmeti Islam.
Myftiu kërkoi që të ftohen besimtarët për lutje dhe dënim me zemër të kësaj situate lufte të re botërore kundër vlerave më të qytetëruara islame në djepin e tyre në Siri e Irak.
Njëkohësisht, Myftiu kërkoi që të nxitet fryma e harmonisë dhe bashkëpunimit në mesin e muslimanëve dhe mbrojtja e dinjitetit dhe krenarisë islame në çdo vend e kohë!
Myftinia Shkodër dënon publikisht krimet barbare, bombardimet, dhunimin e jetës dhe pronës në Siri, Irak, Palestinë e kudo tjetër, ku derdhet gjak i pafajshëm muslimanësh, nën heshtjen ndërkombëtare dhe bekimet e armiqve të Paqes dhe Humanizmit!