Vizitë dhe program edukativ me nxënësit e mejtepeve në xhaminë e Plumbit

Vizitë dhe program edukativ me nxënësit e mejtepeve në xhaminë e Plumbit

Vizitë dhe program edukativ me nxënësit e mejtepeve në xhaminë e Plumbit

Në kuadër të përkujtimit të 1-vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit pas rikonstruksionit të saj, sektori i arsimit pranë Myftinisë Shkodër organizoi, ditën e enjte më 7 maj 2026, një tjetër aktivitet të veçantë me pjesëmarrjen e nxënësve të kurseve fetare nga Qendra Kulturore Oblikë, xhamia Velinaj dhe xhamia Zues.

Aktiviteti nisi me pritjen e nxënësve të mejtepeve dhe një vizitë në ambientet e jashtme dhe të brendshme të xhamisë, ku ata u njohën nga afër me vlerat historike, kulturore dhe shpirtërore të këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë islame.

Më pas, programi vijoi me lexim nga Kur’ani Famëlartë dhe recitime të përzgjedhura nga nxënësit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë edukative dhe shpirtërore për të gjithë të pranishmit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtuesi i arsimit pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni, vlerësoi rëndësinë e vizitës së nxënësve në këtë simbol të besimit dhe trashëgimisë fetare, duke theksuar rolin e xhamisë si vatër e dijes, edukimit dhe formimit moral të brezave të rinj më frymën e vërtetë islame.

Gjithashtu, teologu Halluni shprehu falënderime të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit, e në mënyrë të posaçme për mësuesen znj. Kimete Elezi dhe mësuesin H. Nebi Alia, për përkushtimin e tyre në edukimin e fëmijëve me vlerat e besimit dhe moralit.

Pas faljes së namazit të iqindisë, aktiviteti vijoi me një qerasje simbolike dhe u përmbyll me një foto të përbashkët, si kujtim nga ky aktivitet i bukur përkujtimor.