Xhamia e Dërgutit me një pamje të re
Ditën e mërkurë, më 6 maj 2026, për xhaminë e lagjes Dërgut ka filluar një ndërhyrje e rëndësishme për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e ambienteve të xhamisë së kësaj lagje. Ditën e sotme filluan montimet e skelave për lyerjen e plotë të pjesës së jashtme të xhamisë, për t’i dhënë një pamje sa më dinjitoze dhe të bukur, siç e meritojnë xhamitë e Allahut.
Kjo ndërhyrje synon jo vetëm përmirësimin e pamjes së jashtme të xhamisë, por edhe ruajtjen e saj nga faktorët atmosferikë, duke e mbrojtur prej lagështirës dhe faktorëve të tjerë, që mund ta dëmtojnë objektin e xhamisë.
Sipas dy imamëve të xhamisë, H. Ervil Kuçi dhe H. Ensar Ismalaj, procesi i lyerjes pritet të zgjasë rreth 7 deri në 10 ditë, në varësi të kushteve atmosferike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në ecurinë e punës.
Banorët e lagjes dhe frekuentuesit e xhamisë e kanë mirëpritur këtë nismë, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm në mirëmbajtjen e xhamisë, e cila frekuentohet nga besimtarët e shumtë.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër shpreh falënderim të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për dy imamët dhe xhematin e xhamisë së lagjes Dërgut, por jo vetëm, që po bëjnë të mundur realizimin e kësaj nisme, duke dëshmuar edhe njëherë frymën e bashkëpunimit dhe përkushtimit ndaj ruajtjes dhe përmirësimit të xhamive të Allahut.










