Ceremonia e gurthemelit të xhamisë së re në Bushat

Ditën e xhuma, më 5 shkurt 2016, pas faljes së namazit të xhumasë në xhaminë e Bushatit, Myftinia Shkodër dhe Fondacioni "Mirësia" organizuan ceremoninë e gurthemelit për xhaminë e re në vakëfin e xhamisë së vjetër në Krye Bushat. I pranishëm në këtë ceremoni ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Drejtori i Fondacionit "Mirësia", z. Korab Kaja, Drejtori i Shoqatës "Sulejmanije" për Shqipërinë, z. Nusret Tekin, imamë të xhamive të ndryshme dhe besimtarë të zonës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, vlerësoi këtë ditë si një moment të gëzueshëm dhe historik për Bushatin, Shkodrën dhe krejt muslimanët e vendit, sepse xhamia e re është dëshmi besimi dhe udhëzimi islam për këtë zonë. Myftiu falënderoi kontributin e Fondacionit "Mirësia" për sigurimin e fondit për mundësimin e realizimit të projektit bashkëkohor për xhaminë e re. Ceremoninë e përshëndeti edhe z. Korab Kaja, që uroi të pranishmit për këtë ngjarje të shënuar për komunitetin musliman të Bushatit dhe Myftininë Shkodër. Ai theksoi se ky projekt vjen si pjesë e bashkëpunimit me "Zekat House" në Kuvajt dhe me mbarësinë e All-llahut, shumë shpejt, të gjithë do ta gëzojmë xhaminë e re. Edhe kryeplaku i zonës, z. Zyhdi Mustafa, shprehu falënderimet e tij dhe mirënjohjen për Myftininë Shkodër dhe Fondacionin "Mirësia", sikurse vlerësoi bashkëpunimin dhe interesimin e madh të besimtarëve të kësaj zone për arritjen e kësaj dite të gëzuar. Me tekbire e salavate, u zhvillua edhe ceremonia simbolike e gurthemelit të xhamisë së re, që pritet të realizohet në harkun e një viti. Në fund, Hafiz Shukri Kapllan bëri një lutje për mbarësinë e punimeve dhe suksesin e tyre.