
Çfarë po ndodhë në Shkodër me çështjen e vakëfit në Zdralej?
Myftiu Sytari sqaron besimtarët me fakte e dëshmi!
Nga hytbeja e xhumasë në xhaminë e Parrucës, më 11 korrik 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka sqaruar para besimtarëve dhe mediave procesin lidhur me tregun e Zdrales që ndodhet në tokën vakëf të Myftinisë Shkodër.
Myftiu ka thënë se që në vitin 2013, trualli ku është vendosur tregu, ka kaluar në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Sapo kjo ka ndodhur, tregtarët janë thirrur dhe njoftuar për ta liruar duke u dhënë si afat ekstrem për lirimin e tij, data 1 janar 2015!
“I kemi njoftuar të gjithë tregtarët dhe i kam pritur në zyrë që në momentin e këtij lajmërimi, që nga viti 2013. Nuk po flas përpara, as për çfarë Bashkia e Shkodrës ka bërë tek stadiumi: për tregun që ajo ka ngritur, jo ne. E ka ngritur mbi tokën e dikujt, e vetëdijshme se nuk është pronë e Bashkisë.
Në tetor të vitit 2013, Myftinisë së Shkodrës i është bërë kthimi i pronës vakëf në Zdrale, 3782 m2, por prona jonë është shumë më e madhe sesa këto metra, e mbajtur në përdorim nga ana e Bashkisë Shkodër gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk kemi përfituar as nga Bashkia, as nga ata, as edhe një qindarkë! Se njeriu ka fytyrë, ka ndërgjegje!
Dikush është dashtë të thotë: ‘Po, unë jam këtu, por kjo nuk është prona ime! Nuk ma ka lënë as baba, as gjyshi. E kujt është kjo pronë? e Myftinisë! Më e pakta të shkoj te Myftinia e t’i them: – zotëri, unë e di se ju sot nuk e keni kthyer këtë pronë, por me hak të Zotit ajo është pronë e juaja. Unë me zemër do ta sjellë 100 lekë në muaj. Kaq e kam mundësinë!’ kjo nuk ka ndodhur nga askush!
Me kthimin e pronës, Myftinia Shkodër ka kërkuar zhvillimin e atij vakëfi. Kjo është kontrata e parë që është nënshkruar asokohe në vitin 2014. Tregtarëve, ky që flet, u ka thënë: ‘Do të rrini aty ku jeni. Nuk ju nxjerr kush as për sezonin veror, as për fillimin e sezonit shkollor, as për krishtlindje e as për vitin e Ri, se njerëzit blejnë. Në janarin e vitit tjetër të bëheni gati dhe të dilni!’
Myftiu Sytari, gjatë hytbes së tij, ka reaguar edhe ndaj disa mediave dhe portaleve, të cilat me papërgjegjshmëri, madje edhe me dashakeqësi, bëhen palë me të pavërtetat, lidhur me një çështje që është tepër e qartë dhe transparente.
Na akuzoni ne se kështu e ashtu? Jo! Këto merrini mbrapsht ju dhe mediat tuaja dhe kushdo! Unë e di. Është shumë e dhimbshme që ti të punosh në një vend, ku nuk është prona jote, nuk është vendi yt dhe në një moment i zoti i tokës të vijë dhe të thotë: – zotëri të lutem liro tokën! – jo, unë se liroj!? Ky është mentaliteti i shpellave. Ky është mallkim i madh për pronarin e vërtetë, që nga ligji famëkeq 7501 dhe nga shokët e Iblisit që punojnë me kazmat e shkatërrimit të pronës për herë të dytë mbi kurrizin e pronarëve legjitim. I pari pronar legjitim dhe më i madhi i atyre që është prekur në Republikën e Shqipërisë nga ky ligj famëkeq, është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe të gjitha Myftinitë!”, ka deklaruar më tej Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari
Hytben e plotë mund ta ndiqni këtu: