Jo këtij njeriu të modifikuar, që e ktheu botën në gërmadhë shkatërrimi..!

Para dy ditësh në Afganistan u bombarduan mbi njëqind hafizë të Kur'anit, të gjithë fëmijë dhe të rinj, në ceremoninë më të lumtur të jetës së tyre.

Mbrëmë, po aq; ndoshta më pak a më shumë, në Duma të Damaskut, u helmuan me gaz sarin, duke na bërë dëshmitarë të pamjeve të llahtarshme të fëmijëve të pafajshëm, nënave e baballarëve të ngrirë bri njëri-tjetrit..!?

Lutuni dhe faluni; terrorizmi dhe urrejtja kundër Islamit dhe muslimanëve ka arritur në një pikë të dëshpëruar!

Atë ditë kur bijtë e shejtanit në Mekë, vendosën të lidhin aleancën e tyre vrastare për të goditur së bashku për vdekje të Dërguarin e All-llahut, po atë ditë njerëzimi mori mbështetjen më të madhe, që fal shpresë dhe kurajo për të mos humbur dritën e udhëzimit; dy rreze drite hyjnore!

Dy ajete kur'anore, që peshojnë më rëndë se krejt vuajtjet dhe dhuna, shkeljet dhe persekutimi ndaj të vërtetës dhe pasuesve të saj: 1. "Nuk gjuajte, kur gjuajte, por All-llahu gjuajti"! Bëhet fjalë për një grusht dhé, të cilin Resulull-llahu (a.s.) vendosi mbi krerët e armiqve të tij, me urdhër të Zotit.

2. "Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!" Me këtë dëshmi, iu drejtua i Dërguari, shoqëruesit të tij besnik, Hz. Ebu Bekrit, teksa ishin strehuar në shpellë, atë ditë kur bijtë e shejtanit po i ndiqnin për t'i vrarë...

Kjo është historia, që nuk duhet harruar dhe mësimi i madh, që nuk duhet hequr nga mendja për asnjë çast!

Hafizët e vegjël afganë dhe vëllezërit e tyre sirianë, qindra e mijëra, po deshte thuaj miliona të vrarë e të helmuar, të djegur e të dhunuar anëmbanë botës së sotme, janë mjaftueshëm, për të zgjuar nga gjumi i hutimit ymmetin, i cili ka nevojë të pastrohet nga tradhëtia e brendshme dhe kolonizimi fetar e shpirtëror, njësoj siç e ka të detyrueshëm rrugëtimin drejt përvetësimit të shkaqeve të dijes dhe urtisë, bashkimit dhe vëllazërisë, për të vënë në vend ekuilibrat e shkatërruara të natyrës dhe diversitetit, lirisë dhe përgjegjësive të njeriut mbi faqen e dheut, si mëkëmbës hak i një Zoti të Vetëm e të Plotfuqishëm, i cili urdhëroi melekët e Tij të binin në sexhde para shfaqjes së Njeriut..! Jo para këtij njeriu të modifikuar, që e ktheu botën në gërmadhë shkatërrimi..!

Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 8 prill 2018