Nga Vjena, Myftiu i Shkodrës uron besimtarët në prag të muajit të begatë të Ramazanit
Me ftesë së Xhamisë së Shqiptarëve “El-Kalem” në Vjenë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari po zhvillon një vizitë dy ditore në Vjenë, me çrast ditën e xhuma, më 13 shkurt 2026, mbajti hytben e xhumasë nëpërmjet të cilës iu drejtua besimtarëve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare që frekuentojnë këtë xhami, në prag të muajit të begatë të Ramazanit.
Gjatë mesazhit të tij, Myftiu vuri theksin tek mirësia e madhe me të cilën Zoti i gjithësisë begaton mbarë njerëzimin dhe besimtarët në veçanti teksa i fton të angazhohen për një muaj me radhë në agjërimin e muajit të begatë të Ramazanit.
Myftiu theksoi se atmosfera e begatë e Ramazanit e merr përdore besimtarin dhe individin musliman që të paqtohet me Zotin e tij dhe me tjetrin kushdo qoftë ai, duke rrezatuar mësimet themelore të periudhës së begatë të agjërimit, që janë vetëkontrolli, distancomi nga haramet dhe ndalesat e shumta, rrezatimi i të mirës në marrëdhënie dhe komunikimi me familjen, shoqërinë, solidarizimin me njerëzit në nevojë, përhapja e ndihmës së pakushtëzuar, distancimi nga thashethemnaja, fjalët e pavlefshme, veprat e padobishme dhe angazhimi maksimal për të qenë njeri prodhimtar në përditshmërinë e tij.
Myftiu Sytari uroi muslimanët e krejt trevave shqiptare dhe të mbarë botës islame në prag të muajit të begatë të Ramazanit, duke u lutur që Zoti i gjithësisë të derdhë mëshirë dhe begati për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe për mbarë njerëzimin, që ka nevojë sot më shumë se asnjëherë për balsamin e udhëzimit hyjnor dhe kthimin me sinqeritet dhe seriozitet nga dera e udhëzimit hyjnor.


