Zhvillohet konferenca e 14-të vjetore e imamëve: “Rimëkëmbja e vetëdijes islame!”
Pasditën e të hënës, më 09 shkurt 2026, në xhaminë e Dy Vajzave, në prag të muajit të begatë të Ramazanit u zhvillua konferenca e 14-të vjetore e imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, me temë: “Rimëkëmbja e vetëdijes islame!”
Konferenca u zhvillua në dy seanca ku imamë, teologë dhe thirrës islamë të Shkodrës, trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me agjërimin e Ramazanit, rolin e tij në forcimin e besimit, vetëpërmbajtjen, edukimin shpirtëror, si dhe ngjarje madhore historike islame.
Gjatë referimeve u sollën tefsire të ajeteve kuranore, reflektime mbi përjetimin e Ramazanit ndër breza, përfshirë edhe periudha të vështira të historisë sonë, si dhe trajtime shkencore e praktike mbi rregullat e agjërimit sipas medhhebit hanefi. Po ashtu, u theksua rëndësia e Natës së Kadrit, e betejës së Bedrit dhe mesazheve të mëdha që Ramazani i përcjell ymetit islam.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën dhe kumtesën e tij apeloi që muaji i Ramazanit të shfrytëzohet si një mundësi reale për rikthim te Kur’ani, për forcimin e unitetit dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme, duke e parë agjërimin si mjet transformimi individual dhe kolektiv.
Konferencën e përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj.
Në këtë konferencë referuan:
- Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës Shkodër: – Tefsiri i ajetit kur’anor: “Dhe, nëse agjëroni është më mirë për ju..!” – (El-Bekare: 184)
- Adem Pizga, imam i xhamisë Perash: – Kuptimet e takvasë në agjërimin e Ramazanit
- Arben Halluni, teolog: – Shembuj nga agjërimi i Ramazanit në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri
- Ardit Ulqinaku, imam i xhamisë Milan: – Tefsiri i ajetit kur’anor: “Nata e Kadrit, më e mirë se 1000 muaj!” – (El-Kadr: 3)
- Ensar Ismalaj, imam i xhamisë Dërgut: – Agjërimi dhe vetëpërmbajtja
- Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”: – Tefsiri i ajetit kur’anor: “Ju është bërë obligim agjërimi…!” – (El-Bekare: 183)
- Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”: – Rregullat e agjërimit sipas medhhebit hanefi
- Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucës: – Beteja e Bedrit – mësime dhe mesazhe
- Durim Kasemi, imam i xhamisë Parrucës: – Ramazani, muaji i ngjarjeve të mëdha
Pas konferencës u bë edhe shpërndarja e materialeve të Ramazanit si kalendarë, postera, udhëzime, etj.













