“Të ndriçohemi, po na vjen Muaji i Kur’anit!”, mesazhe dhe këshilla nga Myftiu i Shkodrës

"Të ndriçohemi, po na vjen Muaji i Kur'anit!", mesazhe dhe këshilla nga Myftiu i Shkodrës

“Të ndriçohemi, po na vjen Muaji i Kur’anit!”, mesazhe dhe këshilla nga Myftiu i Shkodrës

Në vazhdën e ciklit të ligjëratave në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit, ditën e mërkurë, më 11 shkurt 2026, Myftinia Shkodër zhvilloi një tribunë fetare në Qendrën Kulturore pranë xhamisë së fshatit Mes-Myselim, Njësia Administrative Postribë.

Aktiviteti që nisi me faljen e namazit të iqindisë vijoi me fjalën e rastit të mbajtur nga teologu Arben Halluni, i cili vuri theksin tek rëndësia e aktiviteteve të larmishme që zhvillohen me qëllim ndërgjegjësimin e besimtarëve në prag të muajit të begatë të Ramazanit.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vuri theksin tek rëndësia që ka përgatitja e besimtarëve në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit, jo thjesht me pastrimin dhe rregullimin e shtëpive, që gjithsesi është një traditë shumë e bukur dhe e dobishme, por mbi të gjitha me pastrimin e zemrave nga hutimi dhe përgatitjen serioze për të pritur siç duhet muajit e madhërishëm të mrekullive të panumërta.

Myftiu iu drejtua të pranishmëve me mesazhe të shumta nga Kur’ani, hadithe e Pejgamberit (a.s) dhe mesazhet e sabahëve të ndryshëm, që duke tërhequr vëmendjen drejt domosdoshmërisë së parapërgatitjes me rastin e muajit të agjërimit, duke e konsideruar atë si një mundësi e jashtëzakonshme që Zoti i gjithësisë ia mundëson besimtarëve të Tij dhe njerëzimit mbarë për t’u kthyer nga drita e udhëzimit dhe të kapurit me seriozitet pas litarit të Allahut, Kur’anit Famëlartë.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga teologu i nderuar Fatmir Sula, i cili falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi punën e madhe të besimtarëve të xhamisë së Mes-Myselimit për ta dëshmuar mirësinë e besimit dhe vlerat e tij, me vepra të dobishme e aktivitete që mbajnë gjallë frymën e identitetit islam në komunitet.