Myftiu priti Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë

Myftiu priti Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë

Myftiu priti Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë

Paraditën e së mërkurës, më 11 shkurt 2026, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror, Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë, H. Basri Kurtishi.

Gjatë takimit, u diskutua rreth tematikave të ndryshme me interes të përbashkët, me theks teK studimet që lidhen me bashkëjetesën ndërfetare ndër shqiptarë, temë për të cilën, i nderuari H. Basri Kurtishi, është i specializuar, që nga ditët e studimeve në Universitetin e Ez’herit në Kajro, por edhe tani, në pozitën e Kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë.

Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, tërhoqi vëmendjen drejt informacioneve të shumta në lidhje me temën, të botuara në revistat islame të para një shekulli në Shkodër e Shqipëri, tek të cilat u ndal me hollësi.

Pjesë e kësaj vizite ishte edhe ndalesa tek Xhamia e Plumbit, ku Kryetari i BISh në Danimarkë, pati mundësi të shihte nga afër detajet e kompleksit të ri, si dhe të mësonte për historinë e xhamisë, që i rezistoi përmbytjeve dhe kohërave të errëta, që asnjëherë s’e shuan Dritën e sinqeritetit, me të cilin u ngrit, si një kala Udhëzimi mbi tokë.

Në profilin e tij në fb, me rastin e kësaj vizite të shtrenjtë në Shkodër, H. Basri Kurtishi, shkruan: ” Sot pata kënaqësinë të jem në vizitë në qytetin e Shkodrës, ku u takova me Muftiun e Shkodrës, Muhamed ef. Sytari. Shkodra, qyteti i kulturës, historisë dhe shpirtit të gjallë shqiptar.

E kur shkon në Shkodër, është e pamundur të mos ndalesh te Xhamia e Plumbit.

Xhamia e Plumbit që është një xhami që ka përballuar shumë etapa e sfida të historisë sonë. Ajo qëndron pranë Kalasë se Rozafës, por rezistenca e saj shpirtërore duket edhe më e fortë se muret e kalasë.

Kur qëndron në oborrin e saj, ndien një emocion të veçantë. Të kujtohet ringjallja e fesë tek shqiptarët pas sistemit famëkeq komunist. Aty, në atë vend plot histori, hoxha i madh shqiptar Hafiz Sabri Koçi mbajti fjalimin e tij të famshëm pas rënies së komunizmit, një moment që shënoi rikthimin e besimit dhe shpresës në zemrat e njerëzve.

Kjo xhami nuk është thjesht një objekt kulti. Ajo simbolizon rrënjët e thella të fesë në shoqërinë tonë. Edhe pse kemi kaluar vështirësi, ndalime e përndjekje, besimi ka mbetur pjesë e pandashme e identitetit tonë.

Shkodra të kujton se historia jonë ka pasur plagë, por edhe forcë për t’u ringritur. Dhe Xhamia e Plumbit qëndron aty si dëshmi e qëndrueshmërisë, besimit dhe shpirtit Shqiptar.”