Hapja e dyerve të xhamisë së re te Ura e Bunës, gëzim i madh!

Dita e përurimit të xhamisë së re te Ura e Bunës, mbi të njëjtin vakëf, ku dekada dhe shekuj më parë ka ekzistuar përherë xhamia, përkon me një datë të shenjtë për mbarë muslimanët e Shkodrës, Shqipërisë dhe trojeve shqiptare; 16 nëntorin. Është kjo datë që na kujton finalizimin e madh të përpjekjeve të djemve të rinj shkodranë, në mesin e të cilëve edhe miku i jonë, Gani Kryeziu, për të rihapur të vetmen xhami të ngelur në këmbë, Xhaminë e Plumbit, pas çmendurisë komuniste, që dhunoi dhe shkatërroi krejt xhamitë tona, duke damkosur Shkodrën dhe Shqipërinë me damkën më të turpshme të historisë, asaj që kaloi dhe asaj që vjen, deri në kijamet!

E kishte shkruar që në vitin 1925 i dituri Hafiz Ali Korça, se: “Komunizmi nuk pajtohet me asnjë fe sepse bazohet mbi pafesinë, se thotë: Zot s’ka. Profet s’ka (hasha). Zoti s’është gjë fare. S’është as një as disa. S’ka Zot që të ketë edhe profetë. Profetët janë disa njerës gënjeshtarë që librat i kanë përdorur si vegla për të rjepur botën edhe të ushqeheshin mbi kurrizin e tyre. Ata thonë se Tevratit, Inxhilit dhe Kur’anit i ka kaluar koha. Thonë një kohë bota vepronte sipas Kur’anit e sipas Inxhilit dhe Tevratit edhe me këtë mënyrë siguronin jetesën, por sot çdo njeri duhet të jetojë me Kur’anin e Karl Marksit! PLASJA T’U BJERË!…”, por njerëzit nuk i vunë veshin thirrjes ndriçuese dhe paralajmëruese të Hoxhës së Madh!?

Sot, 28 vite pas asaj ngjarjeje të madhe që ndryshoi rrjedhën e këtij vendi, nuk ka se si të mos kujtojmë se katrahura komuniste, nuk ishte thjeshtë një fjalë e thënë, por, siç dëshmonte edhe vetë Hafiz Sabri Koçi: “Një ditë burgu, thuaj se një mijë vjet!
Fillonte me një diktaturë të papërshkrueshme. Po të dëgjonin se thua: “la ilahe il-lall-llah”, atëherë mjerë ajo shpinë ç’ka hiqte…”. Burg i zi dhe poshtërim i pashembullt u bë jeta e shqiptarëve!

Sot, në atmosferën e përkujtimit të asaj date të shtrenjtë të 16 nëntorit 1990; burrave dhe djemve të rinj, Hafiz Sabri Koçit dhe qytetarëve të nderuar shkodranë, pa dallim feje, jemi këtu së bashku, tamam si në frymën e asaj dite, për të hapur dyert e kësaj xhamie të re të munguar për zonën, qytetin dhe shpirtin islam në Shkodrëlocen tonë!

Sot, kur Shkodra është përfshirë prej një mjegullnaje të zymtë, ku era e krimit, korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë, vjedhjes, shthurrjes, përhapjes së fajdeve dhe kamatës, tradhëtisë dhe pabesisë, gënjeshtrës dhe mashtrimit, tendecave përherë në rritje të denigrimit të rinisë dhe zhveshjes së saj nga besimi dhe tabani i familjes, vlerave kombëtare dhe qytetarisë tradicionale; kanë për qëllim të bëjnë “ligjin” dhe t’i ndryshojnë fytyrë dhe identitet këtij vendi, ne e kemi për borxh moral, fetar dhe kombëtar ndaj hakut të tokës tonë të shtrenjtë që të kthehemi përherë e më shumë nga vlerat e fesë dhe besimit tonë! Larg besimit dhe vlerave të tij, ky vend nuk ka të ardhme! Hipokrizia dhe laramania në hak të fesë së këtij populli, nuk i përshpejton hapat drejt aspiratave të deklaruara botërisht; ato realizohen duke respektuar secilin dhe duke mos i trajtuar komunitetet fetare sipas epsheve selektive të njërit a tjetrit, djathtas e majtas!

Tregohet se një person erdhi tek dijetari i shquar, Shejkh Atije Mesudi (v. 1989) dhe e pyeti: Zotëria im, dëgjojmë shpesh njerëzit të flasin për gogolin, çfarë është ai? Hoxha i urtë ia ktheu: “A ke dëshirë ta shohësh dhe ta njohësh gogolin?”. Personi pohoi. Hoxha vazhdoi: “Hiqe frikën e All-llahut nga zemra jote dhe turpin nga fytyra jote, do të bëhesh ti vetë gogoli!”

Në vitin e largët 1926, Lumo Skëndo shkruante nga revista “Zani i Naltë”: “Të shartë dëfton tri sende, tri sëmundje: 1. Ose njeni që përdorë fjalë të ndyra dhe të liga, është nji njeri i lik me zemër të keqe, pa dhimpshuri dhe naltësi shpirti. 2. Ose ka një edukatë harbute i rritun me njerëz pa arsim dhe pa delikatesë. 3. Ose është indiferent, nuk ve re çë thotë, nuk shquen të mirën nga e keqja, rron si nji drû, si nji dhí e egër, vetëm me lumtërin e nevojës dhe të dëfrimit t’ultë…”.

Kur njeriu nuk e ka më frikë Zotin, nuk ka as turp, nuk ka më as besë, nuk ka më as mëshirë, nuk ka më as njerzillek, dalëngadalë largohet dhe del nga kornizat që përkufizojnë një njeri normal, me virtyte e vlera, me besim e vullnet të mirë për të ndërtuar, jo për të shkatërruar në jetë!

Hapja e dyerve të kësaj xhamie është një gëzim i madh, sepse ky ezan i madhërishëm që do të përhapet pesë herë në ditë nga kjo tokë e shenjtë, do të përhapë njëkohësisht mëshirë dhe paqe, mirësi dhe bujari nga bujaria e All-llahut! Do të jetë përherë një thirrje e shenjtë për krejt zonën, për të ruajtur identitetin, për të jetuar në pastërti dhe ndershmëri, besim dhe harmoni; me Zotin e gjithësisë, vetveten, familjen, miqtë dhe këdo prej krijesave të Zotit Një!

All-llahu e begatoftë këtë ditë dhe mesazhet e saj, na udhëzoftë ne dhe popullin tonë drejt kthimit nga dyert e teubes, nga Fjala e All-llahut dhe tradita e mrekullueshme e Hz. Muhammed Mustafasë (a.s.), për të jetuar në harmoni dhe paqe me Zotin, me veten, me natyrën dhe me tjetrin, kushdo qoftë tjetri!

Në emrin e Myftinisë Shkodër, imamëve, muezinëve dhe krejt besimtarëve të Shkodrës i shpreh mirënjohje dhe respekt, të nderuarit H. Gani Kryeziu për veprën e madhe, që e lartëson atë dhe familjen e tij brez pas brezi, duke e bërë shembull të gjallë të një rimëkëmbjeje të muslimanëve të Shkodrës.

Faleminderit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Fjala e mbajtur në përurimin e xhamisë së re te Ura e Bunës, 16 nëntor 2018)