Dy ilahistë me famë botërore vizitojnë xhaminë e Plumbit

Dy ilahistë me famë botërore vizitojnë xhaminë e Plumbit

Dy ilahistë me famë botërore vizitojnë xhaminë e Plumbit

Ditën e mërkurë, më 8 tetor 2025, atmosfera e begatë e 35-vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë islame dhe kulturore të Shkodrës dhe mbarë trojeve shqiptare; u zbukurua me vizitën e dy miqve të veçantë për Myftininë e Shkodrës.

Në një veprimtari krejtësisht të veçantë nga krejt të tjerat, në xhaminë e Plumbit ditën e sotme ishin të pranishëm dy ilahistët me famë botërore, prof. Muhamed Tarik nga Egjipti dhe Hfz. Egzon Ibrahimi nga Kosova, të cilët e vizituan xhaminë e Plumbit me qëllim realizimin e një ilahije të re, në gjuhën arabe dhe shqipe.

Në pritje të dy miqve të shtrenjtë ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi dhe përgjegjësi i sektorit të arsimit dhe medias pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni.

Në fjalën e tij përshëndetëse, përpara mediave të pranishme, Myftiu i Shkodrës shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë të shtrenjtë të dy ilahistëve me famë botërore dhe ndër të tjera, theksoi se: “Kjo vizitë është pjesë e atmosferë së begatë të 35-vjetorit të rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri — një ngjarje historike që shënoi fillimin e një epoke të re për aktivitetin fetar dhe trashëgiminë shekullore islame të popullit tonë.”

Nga ana e tyre miqtë e dashur, shprehën emocionet dhe gëzimin e tyre për praninë në Shkodër, për realizimin e një ilahije të re kushtuar Kur’anit Famëlartë, e cila shoqërohet edhe nga prania e disa nxënësve të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.

Në fjalën e tij përpara mediave, Hfz. Egzon Ibrahimi ndër të tjera tha: “Ndjej emocione të veçanta për vizitën në xhaminë e Plumbit, si një vend i shtrenjtë që simbolizon qëndrueshmërinë e besimit dhe trashëgiminë shpirtërore të Shkodrës. Dëshirojmë që nëpërmjet kësaj ilahije kjo xhami të shikohet në mbarë botën islame, përmes realizimit të prodhimit tonë më të ri.”

Ndërsa, ilahisti i shquar egjiptian me banim në ShBA, prof. Muhamed Tarik shprehu emocionet e tij për këtë vizitë të parë në vendin tonë dhe në Shkodër veçanërisht, ku theksoi se: “Jam shumë i lumtur për vizitën time në Shqipëri dhe dua të falënderoj Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari për mikpritjen dhe gatishmërinë e tij në realizimin e këtij projekti të ilahisë.”

Për disa orë me radhë ilahistët e nderuar kryen incizimet e projektit të tyre më të ri, i cili pritet të dalë gjatë këtyre ditëve, si një dhuratë e çmuar që lidh edhe qytetin e Shkodrës, xhaminë e Plumbit dhe Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” me mbarë botën islame nëpërmjet dritareve të këtyre dy personaliteteve të shquara të artit islam.

Për nder të miqve Myftiu shtroi edhe darkën e mikpritjes, ku u diskutuan biseda të shumta me interes të përbashkët.