Aktivitet me vlera në kujtim të Hz. Muhammedit (a.s)

Pasditën e së martës, më 12 prill 2016, Myftinia Shkodër, në bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit të Çështjeve të Fesë në Ambasadën e Turqisë, Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dhe Shoqatën “Istanbul”, organizoi një konferencë fetare, në përkujtim të mesazhit hyjnor, me të cilin u dërgua Hz. Muhammedi (a.s).

Aktiviteti në fjalë, kishte si temë kryesore të tij unitetin dhe vëllazërinë islame në mesazhin e Hz. Muhammedit (a.s).

I ftuar special i këtij tubimi vlerash, ishte Dr. Omer Menekshe, autor i disa veprave fetare në gjuhën turke, njëkohësisht Drejtor i Zyrës së Komunikacionit në Dijanetin e Turqisë.

Njëkohësisht, aktiviteti u zbukurua me këndimin e mrekullueshëm të disa pjesëve kur’anore nga Hafiz Adem Kemaneci, imam i Xhamisë Presidenciale në Ankara.

Në referatin e tij para të pranishëmve të shumtë, Dr. Menekshe vuri theksin te nevoja e madhe që ka sot ymeti islam për unitet dhe vëllazëri. Ai tha se e sotmja e muslimanëve në botë është dhimbje e lot, që duhen ndryshuar nëpërmjet rrugëve të harmonisë, vëllazërisë dhe unitetit në mesazhet e Hz. MUHAMMEDIT (a.s).

Dr. Omer Menekshe theksoi se në Islam, kombet dhe racat nuk janë pengesë e unitetit, kur prin besimi dhe udhëheqja në jetë sipas porosive dhe botëkuptimit islam.

Më herët, përshëndetën edhe z. Jasin Shengyl, përfaqësues i Zyrës së Këshilltarit të Çështjeve Fetare, Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër dhe z. Xhem Bash, Konsull i Turqisë.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe një ilahi e bukur e kënduar nga medresisti Orhan Dani që dhuroi emocione të veçanta.