Përurohet xhamia e re e lagjes Tophanë
Ditën e xhuma, më 1 Rebiulevel 1448 | 14 gusht 2026, Myftinia Shkodër dhe “Qatar Charity”, organizuan ceremoninë e përurimit të punimeve për xhaminë e re të lagjes Tophanë.
I pranishëm në këtë ditë festive ishte Hirësia e Tij, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Kerem Ali, Drejtor i “Qatar Charity”, hoxhallarë, drejtues të institucioneve, besimtarë të shumtë dhe banorë të lagjes, në fytyrat e të cilëve dallohej gëzimi i këtij eventi.
Aktiviteti nisi me prerjen e shiritit të xhamisë së re nga Kryetari i KMSh- së, Myftiu i Shkodrës dhe Drejtori i “Qatar Charity”.
Më pas u bë edhe zbulimi i pllakës së xhamisë së re nga zotërinjtë e nderuar, H. Shuajb Golemi dhe z. Pertef Curri.
Të pranishëm të shumtë ndoqën me emocion leximin e ajeteve të fundit të sures “El-Hashr”, nga teologu Gëzim Dungaj, si dhe mesazhet e dhëna nga H. Ervil Kuçi, ku tërhoqi vëmendjen e besimtarëve drejt pozitës së lartë që ka xhamia në Islam.
Më pas, fjalën e mori, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, i cili shprehu falënderimet e tij për këtë bashkëpunim të frytshëm me “Qatar Charity”, për realizimin e xhamisë së Tophanës, për historikun e së cilës vuri theksin tek fakti se xhamia e parë e ndërtuar mbi këtë vakëf daton 421 vite më parë, nga bamirësi Mustafa Efendiu, hatib i xhamisë së Tophanës.
Ceremonia vijoi me fjalën e mbajtur nga H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili u ndal tek rëndësia që kanë xhamitë në edukimin e breznive me besim e moral, drejtësi e zhvillim, duke i garantuar njerëzimit individë e shoqëri përparimtare.
- Kerem Ali, drejtor i “Qatar Charity”, në fjalën e mbajtur para të pranishëmve, shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman e Myftininë Shkodër, për realizimin e këtij projekti me vlerë.
Ai theksoi se kontribuuesit për këtë projekt, janë disa bamirës nga Katari, të cilët kanë dhënë nga pasuria e tyre për këtë xhami të re.
Në përfundim të ceremonisë, Myftiu i Shkodrës ndau pllakatën përkujtimore të xhamisë së re të Tophanës, për Kryetarin e KMSh, H. Bujar Spahiu, për drejtorin e “Qatar Charity”, z. Kerem Ali, për H. Shuajb Golemin dhe z. Pertef Curri.
Ceremonia u plotësua me ritet e namazit të xhumasë, ndërsa hytbeja e xhumasë u mbajt nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Allahu e begatoftë kontributin e bamirësve dhe e gëzofshim xhaminë e re të Tophanës!






























