421 vjet..!

421 vjet..!

421 vite më parë, në kohën e Gazi Sulltan Murat Hanit, të birit të Sulltan Ahmet Hanit, në muajin Ramazan të vitit 1027 hixhri, bamirësi shkodran, Mustafa Efendi, banor i lagjes Tophanë, ngriti një xhami në zemër të lagjes së tij, në të cilën shërbeu edhe si hatib.

Shekujt kaluan dhe xhamia e Tophanës, mbeti toponim identifikues për lagjen “Bash-Bajrak”, (bajrak i parë i Shkodrës) dhe për mbarë Shkodrën.

Hoxhallarë të shumtë, si: Hafiz Halil Tophana (1793-1878 g.), i biri, Hafiz Salo Hafizi, Hafiz Halil Ymer Shami (1886-1956 g.), Hasan efendi Abdyl Spahia, zv/kadi i Shkodrës asokohe, Hafiz Halim Hajdari (1891-1965 g.), Hafiz Fasli Ullishta (1881-1977 g.), Hafiz Halil Salo Tophana (1884-1958 g.), Myfti i Shkodrës në periudhën (1950-1958 g.) etj., shërbyen përgjatë këtyre shekujve, duke kontribuuar në drejtim të rritjes së vetëdijes islame, moralit dhe identitetit të muslimanit të pjekur e largpamës.

Edhe pas dekadave të errëta të sundimit ateo-komunist, sidomos periudhës (4 shkurt 1967-16 nëntor 1990), lagjes Tophanë iu rikthye xhamia, në të njëjtin vend, falë bashkëpunimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinisë Shkodër me Fondacionin “Islamic Relief” në Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar.

Më 10 korrik të vitit 1997, pas 30 viteve mungesë, lagjes së Tophanës iu rikthye sërish ezani, duke shëruar zemrat e shumë besimtarëve të etur për burimin e qetësisë së tyre shpirtnore.

Tashmë, falë bashkëpunimit me “Qatar Charity”, ditën e sotme, më 1 Rebiulevel 1448 h., me fillimin e muajit të “Pranverës së Parë”, muaj në të cilin përkujtojmë Lindjen e Begatë të Hazreti Muhammedit (alejhis-selam), ne falim sëbashku të xhumanë e parë, në këtë xhami të re, në vakëfin 421 vjeçar të saj!

Është emocion i madh dhe kënaqësi e papërshkruar, që kjo ditë u kthye në një bajram zemrash besimtarësh, që mezi kishin pritur këtë ditë për t’iu rikthyer xhamisë së tyre, të tejmbushur me muslimanë, që ju qeshi fytyra e iu gëzua zemra për këtë bekim të madh!

Sërish u takuam në xhaminë e Tophanës! Mbi të gjitha, qeshnin sytë, kishte mall, emocione, tekbire e salavate, lutje e rahmete për të kaluarit. Ishte tabllo e munguar e një mozaiku të hareshëm, që karakterizon rezultatet e përkushtimit të krejt personazheve të kësaj mirësie, nga Katari i largët e deri në zemër të Tiranës, Shkodrës, por jo vetëm!

Sërish u uruam në hapësirat e një xhamie të re me shpirt të moçëm, që na bashkon e na dhuron ndjesinë e familjes së madhe, më të madhe se ç’mund ta përshkruash, më të gëzuar se ç’mund ta vizatosh, më të dritshme se rrezet e diellit në këtë mes-gusht..!

Elhamdulilah, me këtë fillim të Muajit të Mevludit 1448, nga xhamia 421 vjeçare e Shkodrës, sërish këndohet ezan…

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër më 1 Rebiulevel 1448 | 14 gusht 2026