Ligjëratë mbi vlerën e Tre Muajve të Mirë në Bërdicën e Mesme

Ditën e hënë, më 9 mars 2020, pas namazit të akshamit, në xhaminë e fshatit Bërdicë e Mesme, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet, në kuadër të Tre Muajve të Mirë.

Pas faljes së namazit të akshamit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti një fjalë para të pranishëmve, ku vuri theksin te pastrimi i nijeteve, sidomos në këtë periudhë, në prag të Muajit të Begatë të Ramazanit.

Ligjëratën kryesore e mbajti imami i xhamisë “Ebu Bekër”, thirrësi islam, Idmir Plaku.

Në këshillat e tij, imami i nderuar u ndal tek shfrytëzimi i kësaj periudhe të begatë tremujore, ku besimtarët muslimanë në mbarë botën përgatiten me pendim e lutje, me agjërim e bamirësi, për të pritur Muajin Ramazan.

Imami i nderuar theksoi se muaji Rexheb dhe ai që e pason, Muaji Shaban, janë një periudhë e begatë, në të cilën shpërndahet mëshira e All-llahut dhe besimtarët janë të ftuar të shtojnë përkushtimin dhe adhurimet e tyre vullnetare, me qëllim afrimin me Zotin dhe dëshmimin e mrekullive të besimit në jetën e përditshme.