“Përjetime Haxhi” – Mbresa të paharruara nga udhëtimi në vendet e Shenjta

“Përjetime Haxhi” – Mbresa të paharruara nga udhëtimi në vendet e Shenjta

“Përjetime Haxhi” – Mbresa të paharruara nga udhëtimi në vendet e Shenjta

Pasditen e së xhumasë, më 27 qershor 2025, Myftinia Shkodër, në nder të haxhilerëve të këtij viti, organizoi aktivitetin me titull “Përjetime Haxhi”, një takim frymëzues dhe mbresëlënës ku u ndanë përjetime dhe emocione nga Haxhi 1446/2025.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, imamë të xhamive të qytetit, haxhilerët e këtij viti, si dhe besimtarë të ndryshëm, të cilët ndoqën me interes rrëfimet e haxhilerëve të këtij viti.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Sytari shprehu falënderimet për Zotin për mundësinë e dhënë për të kryer këtë adhurim madhështor, si dhe përgëzoi haxhilerët për përmbushjen e një prej shtyllave të Islamit. Ai theksoi rëndësinë shpirtërore të Haxhit dhe vlerën e përçimit të përjetimeve të sinqerta që frymëzojnë brezat dhe përforcojnë ndjenjën e lidhjes me Qaben, Medine e Ndriçuar dhe vendet e tjera të Shenjta.

Në vijim, disa prej haxhilerëve, H. Ylber Rupa, H. Adem Pizga, H. Ervis Molla, H. Asllan Baba, si dhe të tjetër haxhilerë dhe haxhilere, ndanë me emocion mbresat e tyre nga qëndrimi në Mekë e Medinë, përjetimet e momenteve të lutjeve në Qabe, bashkimi me miliona muslimanë nga e gjithë bota dhe ndjesitë e thella të mëshirës, faljes dhe bashkimit në një adhurim të përbashkët dhe të paharruar për këdo që shkon në Haxh.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të përshpirtshme, duke u shndërruar në një mundësi reflektimi, përkujtimi dhe falënderimi ndaj mirësive të Allahut të Madhëruar dhe domethënies së vërtetë të Haxhit në jetën e besimtarit.