Përmbytjet, si fenomen që fton për zgjim…

Thonë se do të ketë përmbytje..!? Ku e merr të na përmbysë çfarë vjen nga qielli, se gjithësesi do të jetë rahmet; mirësi nga Allahu, a drejtësi prej Tij! Por, a nuk e keni vënë re se, ne jemi përmbytur prej vitesh a dekadash, pa e ndjerë e pa bëzá..!

Na ka përmbytur propaganda dhe mediokriteti, mashtrimi e korrupsioni, mungesa e ndershmërisë e imoraliteti (jo detyrimisht në kuptimin e tij të ngushtë, përfshirë atë; që të jem i saktë me kontekstet gjithëpërfshirëse të kësaj ideje..!?), dyfytyrësia e gënjeshtra, heshtja e gabuar e fjala e pavend dhe e papeshë..!

Na ka përmbytur uji?! Ku e merr uji, që gjithësesi është burim hyjnor i jetës! Por, ne na janë përmbytur botëkuptimet e ndjeshmëritë, na janë përmbytur njësitë matëse të vlerave e të pastërtisë, na janë përmbytur..!?

أَفَلَمْ يَسِيرُوا فِي الْأَرْضِ فَتَكُونَ لَهُمْ قُلُوبٌ يَعْقِلُونَ بِهَا أَوْ آذَانٌ يَسْمَعُونَ بِهَا ۖ فَإِنَّهَا لَا تَعْمَى الْأَبْصَارُ وَلَٰكِن تَعْمَى الْقُلُوبُ الَّتِي فِي الصُّدُورِ. – الحج: 46

“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë, dhe veshë me të cilët do të dëgjojnë? Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor!”, na tërheq vëmendjen Zoti i gjithësisë në Kuranin Famëlartë, në suren El-Haxh: 46!

A nuk është ky ajet një nxitës i mirë për të hapur sytë, për të lexuar fenomenet natyrore, si shenja të mëshirës së Tij, që na fton drejt përmirësimit, rregullimit të marrëdhënies me veten, me natyrën, me pushtetin, me hakun e fjalës që vlen të thuhet e prej të cilës pritet dobi, me të drejtën e ruajtjes e zhvillimit të mendjes, duke e edukuar të mos pranojë çdo gjë që i serviret para duarve, çfarëdo qoftë e nga kushdo qoftë, me të drejtën për të ecur përpara pa pyetur për barrierat e burokracive a mendësive meskine e të kompleksuara përballë tjetrit, por jo vetëm kaq..?

A nuk është koha për të ndryshuar dhe përmbysur shumë qasje të gabuara që na serviren prej vitesh e dekadash, si vlera e standarte, kudo; në fé, në kulturë, në histori, në politikë, në drejtimin e vendit, në alternativat aspak premtuese që shfaqen para duarve të njerëzve e shoqërisë, që e ka humbur ndjesinë e ndreqjes e të zgjimit nga kllapia e përmbytjeve të mëdha që e kanë dërrmuar vendin dhe individin në një vend (e shumë vende) të përmbytur në fuqinë e mendimit, arsyetimit të shëndoshë e vështrimit të ekuilibruar të realiteteve?!

Jeta, të dashurit e mi, është shumë e gjatë dhe e mjaftueshme për të bërë rregullatorin, për ta jetuar zgjuar, (jo në gjumë, jo me qetësues e në gjendje mpirje të mendjes), për ta jetuar në këmbë e në përpjekje të vazhdueshme, mbështetur në Allahun e Madhëruar e bekimet e Tij:

قَالَ يَا قَوْمِ أَرَأَيْتُمْ إِن كُنتُ عَلَىٰ بَيِّنَةٍ مِّن رَّبِّي وَرَزَقَنِي مِنْهُ رِزْقًا حَسَنًا ۚ وَمَا أُرِيدُ أَنْ أُخَالِفَكُمْ إِلَىٰ مَا أَنْهَاكُمْ عَنْهُ ۚ إِنْ أُرِيدُ إِلَّا الْإِصْلَاحَ مَا اسْتَطَعْتُ ۚ وَمَا تَوْفِيقِي إِلَّا بِاللَّهِ ۚ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ أُنِيبُ. – هود: 88

“O populli im, më thoni pra nëse unë kam argumente të sigurta nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë, nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm se të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm te Ai jam drejtuar!”.

Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Madhëruar na udhëzon nëpërmjet shembullit të Hz. Shuajbit (a.s) me popullin e tij.

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Nga hytbeja e xhumasë, më 8 janar 2021,
në xhaminë e Tophanës)

Ndiq hytben e plotë: