Ngjarja e madhe e Israsë dhe Miraxhit

(15 janar 2026 - 27 Rexheb 1447)

Ngjarja e madhe e Israsë dhe Miraxhit

(15 janar 2026 – 27 Rexheb 1447)

Meqenëse kjo ngjarje e shënuar përkon me ditën e enjte, që sipas sunetit të Pejgamberit (a.s) është ditë agjërimi, ju bëjmë me dije se kush ka mundësi për të agjëruar ditën e nesërme, si pjesë e traditës së Pejgamberit (a.s) në agjërimin e të hënës dhe të enjtes, Allahu i Madhëruar ia pranoftë.

Më poshtë, oraret e syfyrit dhe të iftarit për ditën e nesërme, e enjte, më 15 janar 2026, zona Shkodër:

Syfyri: 5.29

Iftari: 16.44

*             *             *

Ngjarja e madhe e Israsë dhe Miraxhit

Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit, apo mrekullia e udhëtimit tokësor (Isra) dhe  atij qiellor (Miraxh) edhe sot pas 15 shekujsh mbetet një ngjarje shumë e rëndësishme, me mësimet dhe refleksionet që na sjell, si në aspektin historik dhe fetar, por edhe në atë shkencor.

Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit është e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, e cila përbëhet nga shpejtësia e jashtëzakonshme me të cilën Pejgamberi (a.s) bëri udhëtimin tokësor (Isra) nga Qabeja në Mekë për në xhaminë Aksa në Kudsin Sherifë. Pastaj, pjesa e dytë e mrekullisë, e udhëtimit hapësinor (Miraxh) nga toka, xhamia Aksa, për në qiell, që sado të mund të përparojë shkenca dhe teknologjia, nuk mund t’i përcaktojë se sa të mëdha ishin këto shpejtësi dhe as nuk do të arrijë ndonjëherë të njohë diçka rreth kësaj force, shpejtësie dhe mënyrës se si ndodhi ky udhëtim, vetëm aq sa na është treguar në Kur’anin Famëlartë.

Sipas transmetimeve, kjo ka ndodhur në vitin e 10-të të dërgesës së Pejgamberit (a.s), më 27 Rexheb.

Ky udhëtimi është kryer me trup dhe me shpirt, në një pjesë të natës mes Qabes në Mekë për në xhaminë Aksa në Kudsin Sherifë. Udhëtim me trup dhe me shpirt, dhe jo vetëm me shpirt (në gjumë, në ëndërr etj).

Kjo ngjarje e madhe dhe rëndësishme përmendet në dy sure të Kur’anit Famëlartë, në suren El-Isra dhe në suren En-Nexhm:

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit gjer në Mesxhidi Aksa, rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” – (Kur’ani, El-Isra: 1)

Bismilahi Rrahmnai Rrahim: “Pasha yllin kur ai bie! Shoku juaj (Muhammedi) as nuk është njeri që ka humbur, e as që ka devijuar. Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili). Që ka mendje precize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë. Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kutë) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa. A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet!” – (Kur’ani, En-Nexhm: 1 – 18)

Në hadithin e saktë që transmeton ngjarjen-mrekulli të Israsë dhe Miraxhit, Pejgamberi (a.s) na tregon për mjetin e udhëtimin me të cilin përshkoi distancën dhe hapësirën qiellore, e kjo quhej Burak.

Çfarë ishte Buraku?

Pasi Pejgamberi (a.s) përfundoi udhëtimin e tij dhe u kthye në Mekke, ai u tregoi njerëzve për çfarë i kishte ndodhur gjatë një pjese të natës. “Pastaj Xhebraili (a.s) më solli një kafshë të bardhë, e cila quhej Burak.., hidhte hapin ku i mbërrinte shikimi”. – (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Po ashtu Pejgamberi (a.s) hyri në Mesxhidul-Aksa dhe fali dy rekate namaz.

Pastaj Xhibrili (a.s) i solli dy enë: njërën me verë dhe tjetrën me qumësht; dhe ai (a.s) zgjodhi qumështin. Xhibrili (a.s) i tha: “Ke zgjedhur natyrshmërinë (fitrën)!”

Pastaj ai (a.s) u ngrit në qiellin e parë, pastaj të dytin, pastaj të tretin… dhe kështu vazhdoi derisa arriti te Sidretul-Munteha, dhe Allahu i shpalli atij atë që i shpalli… dhe atë natë u bënë detyrim namazet.