Myftiu i Shkodrës vizitoi Bashkësinë Islame Shqiptare në Danimarkë
Me ftesë zyrtare të Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në disa prej aktiviteteve të saj të larmishme përgjatë periudhës 8-11 janar 2026.
Gjatë kësaj vizite të parë në Kopenhagë, Myftiu Sytari u takua me Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë, H. Basri Kurtishi, prej të cilit mësoi për historikun e organizmit të muslimanëve shqiptarë në Danimarkë dhe aktivitetin e xhamisë në vendet skandinave.
Ditën e xhuma, më 9 janar 2026, Myftiu i Shkodrës mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e shqiptarëve në Kopenhagë, ku iu drejtua të pranishmëve me disa mesazhe që lidhen me edukimin e brezit të ri me vlerat e udhëzimit dhe dinjitetin e të dëshmuarit si mëkëmbës i Allahut në tokë.
Ndërkohë, ditën e shtunë, më 10 janar 2026, Myftiu Sytari ligjëroi në ceremoninë e përfundimit të Hatmes së Kur’anit nga një grup i madh studentësh shqiptarë të kësaj xhamie, ku dha mesazhet e tij, të shoqëruara me falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për Kryetarin e Bashkësisë Islame Shqiptare në Danimarkë, H. Basri Kurtishi, falë përkushtimit të cilit, dëshmohet kjo arritje e madhe.
Gjatë qëndrimit në Danimarkë, Myftiu i Shkodrës u takua edhe me gazetarin e njohur të Radio “Projekt 21” në Kopenhagën, z. Luigj Shkodrani, të cilin e falënderoi për bashkëpunimet e kahershme dhe praninë e tij në xhaminë shqiptare në Kopenhagë, edhe si një dëshmi e harmonisë kombëtare dhe bashkëpunimit me vlerë në mesin e shqiptarëve në botë.
Myftiu vizitoi edhe Xhaminë Qendrore Shqiptare në Kopenhagën, ku u mirëprit nga imami i nderuar, H. Ruzhdi Asipi, këshilli dhe besimtarët, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim vëllazëror.
Myftiu Sytari vizitoi edhe xhaminë e madhe të Malmoes në Suedi, që udhëhiqet nga imami i nderuar shqiptar, H. Roland Vishkurti.
Në përfundim të kësaj vizite të paharruar, Myftiu Imam Muhamed B. Sytari, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për ftesën bujare të Bashkësisë Islame Shqiptare në Kopenhagë dhe u lut për suksese të vazhdueshme në rrugën e përhapjes së udhëzimit islam me urtësi e largpamësi.



























