“Këshilli i pajtimtarëve”, projekti më i ri i Myftinisë Shkodër

"Këshilli i pajtimtarëve", projekti më i ri i Myftinisë Shkodër

“Këshilli i pajtimtarëve”, projekti më i ri i Myftinisë Shkodër

Ditën e mërkurë, më 14 janar 2026, u zhvillua mbledhja e radhës e imamëve të Myftinisë Shkodër.

Gjatë fjalës së tij, përpara imamëve të pranishëm, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, shpjegoi kuptimet e ajetit të 10-të të sures El-Huxhurat, ku Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë: “Me të vërtet, besimtarët janë vëllezër; dhe, pajtoni mes vëllezërve tuaj. E, kijeni frikë Allahut, që të mëshiroheni!”

Në shpjegimin e tij të këtij ajeti, Myftiu i Shkodrës u ndal tek një pikë që e konsideroi me shumë rëndësi për çdo musliman dhe në veçanti për misionin e imamëve të Myftinisë Shkodër.

Ndër të tjera theksoi: “Të dashur dhe të nderuar vëllezërit e mi, ajeti kur’anor që sapo lexova përpara jush është një ftesë e rëndësishme për të ruajtur ekuilibrat e vëllazërisë në mesin tonë. Prandaj, e kemi për detyrë të ndjekim njëri-tjetrin dhe mos të lejojmë që shejtani të prishë ekuilibrat e vëllazërisë në mesin tonë. Udhëzoj që në çdo xhami të ngrihet “Këshilli i pajtimtarëve”.

Ky projekt i ri i Myftinisë tonë ka për qëllim që të krijojë një ambient përherë e më të ngrohtë dhe vëllazëror në çdo xhami prej xhamive tona, dhe të përpiqemi bashkërisht që të ruajmë ekuilibrat e harmonisë dhe vëllazërisë në mesin tonë, sepse vëllazëria islame qëndron mbi çdo lidhje tjetër në këtë botë dhe detyra e jonë është që ta mbrojmë këtë vëllazëri të shenjtë, ta zhvillojmë atë dhe ta çojmë përpara duke zhvilluar komunitetin dhe bashkësinë tonë.”

Në fund të këtij takimi teologu Lavdrim Hamja dha disa shpjegime me rëndësi që kanë të bëjnë me risinë e re të disiplinimit të ceremonive të kurorëzimit sipas udhëzimit të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

U dhanë udhëzime edhe për aktivitetet e ndryshme që do të zhvillojë Myftinia Shkodër në prag të muajit të madhnueshëm të Ramazanit.