Dr. Zekerija Bajrami, këshilla dhe mesazhe të urta në prag të Ramazanit

Dr. Zekerija Bajrami, këshilla dhe mesazhe të urta në prag të Ramazanit

Dr. Zekerija Bajrami, këshilla dhe mesazhe të urta në prag të Ramazanit

Ditën e shtunë, më 17 janar 2026, Myftinia Shkodër nisin ciklin e ri të ligjëratave me mesazhe dhe këshilla në prag të muajit të madhnueshëm të Ramazanit 1447.

I ftuar nderi i kësaj dite ishte Hoxha i dashur nga Shkupi, Dr. Zekerija Bajrami.

Në krye të herës ai zhvilloi një vizitë në Myftininë e Shkodrës, ku u prit nga Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari, i cili i uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e tij për praninë e Hoxhës së nderuar në mesin e besimtarëve muslimanë të Shkodrës.

Gjatë këtij takimi të përzemërt u diskutua edhe për domosdoshmërinë e zhvillimit të aktiviteteve të larmishme që mbajnë gjallë veprimtaritë fetare në mesin e besimtarëve.

Më pas, në xhaminë e Parrucës, ku prezantonin shumë besimtarë të interesuar për ligjëratën e kësaj dite, pas namazit të mesditës nisi aktiviteti i shumëpritur.

Në fjalën e tij të rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, shprehu kënaqësinë e pranisë së Hoxhës së nderuar, Dr. Zekerija Bajrami në mesin e besimtarëve muslimanë të Shkodrës dhe e krahasoi aktivitetin e sotëm me lulet e para të mimozës që sinjalizojnë ardhjen e pranverës.

Me shumë kënaqësi të pranishmit dëgjuan ligjëratën plot mesazhe dhe këshilla të dobishme nëpërmjet të cilave Dr. Zekerija Bajrami iu drejtua besimtarëve duke hedhur dritë rreth ajetit: “O ju të cilët keni besuar, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret në atë që ju jep jetë!” – (Kur’ani, El-Enfal: 24)

Nëpërmjet shembujve të shumtë nga hadithet e Pejgamberit (a.s), jeta e sahabëve dhe përvoja personale, ai hodhi dritë mbi disa prej mënyrave nëpërmjet të cilave muslimanët mund të përmirësojnë cilësinë e adhurimit dhe dëshmimit të tyre si besimtarë në përditshmërinë e tyre.

Ligjëruesi i dashur nga Shkupi uroi besimtarët me rastin e Tre Muajve të Mirë dhe u lut për mirëqenien e tyre, për të sëmurët, për njerëzit në nevojë, e në veçanti për banorët e Gazës, që jetojnë momente të vështira në realitetet e zymta si pasojë e zullumeve të shumta dhe luftërave të padrejta.

Ky cikël ligjëratash me të ftuar nderi do të vijojë edhe në javën në vijim, ku Myftinia Shkodër ka përgatitur një sërë aktivitetesh të larmishme për gjallërimin e jetës fetare në prag të muajit të madhnueshëm të Ramazanit.

Aktiviteti i ditës së sotme u ndoq nga mediat lokale të qytetit të Shkodrës, të cilat i bënë jehonë në edicionet e ndryshme informative të ditës.