16 Nëntori i vitit 1990 është patjetër një ngjarje e shënuar, një datë historike kombëtare për krejt shqiptarët, sikurse dhe datat e rihapjes së institucioneve të tjera fetare; të kishave në qytetin tonë, janë data historike të shënuara në historinë tonë kombëtare, janë data që na lidhin përherë e më tepër me gjurmët e të parëve tanë që jetuan në harmoni me njëri-tjetrin dhe na lanë një trashëgimi të mrekullueshme të besimit, të qytetarisë, të tabanit të fortë kombëtar që mbështetet në besimin dhe mundëson që njeriu të jetojë me të mirën e mënyrave duke dëshmuar bekimet e Zotit dhe mëshirën e Tij në jetën e përditshme.
Në të sotmen, 16 nëntor 2021, pra 31 vite më tej, ne natyrshëm që jemi të ftuar për të reflektuar dhe për të medituar rreth mesazheve të rëndësishme që përcjell rihapja e institucioneve tona fetare, liria e besimit që është ndër vlerat themelore dhe ndër shenjtëritë e njeriut, ashtu sikurse thoshte edhe Hafiz Sabri Koçi para 31 vitesh, “njerëzit t’i lënë të lirë të besojnë”, dikush mund të besojë dhe dikush nuk beson, ama njeriu është i lirë, dhe natyrshëm që rikthimi i lirisë së besimit dhe i lirive në përgjithësi në vendin tonë pas sa e sa vitesh nën diktaturë është një ogur i mirë dhe një sihariq i madh për krejt kombin.
Sfidat e shumta me të cilat përballemi sot, mund të përmendim atë që është edhe çështje e ditës, thirrjet për të ndryshuar dhe për të prekur kodin e familjes që ne si komunitet besimtar, pra myslimanë, të krishterë por jo vetëm, jemi dorë për dore dhe thërrasim drejt respektimit të tabanit tonë fetar dhe kombëtar sikurse thërrasim që të mos preket kodi i familjes sepse familja është gjëja më e shenjtë që kemi në jetën tonë!
Përveç kësaj, ashtu sikurse e kemi dëshmuar dhe e kemi përmendur në tubime të shumta ndërfetare, janë problematikat, me të cilat përballet rinia në veçanti, përhapja e bimëve narkotike, droga, shkelja e të drejtave të njeriut në aspekte dhe fusha të ndryshme, varfëria, mjerimi, skamja, emigracioni e kështu me radhë.
Unë besoj dhe mendoj se komunitetet fetare kanë qenë në krye të shoqërisë duke dëshmuar më të mirën, duke dëshmuar vlerat e tyre!
Intervista e plotë në VOA: