Aktivitet përkujtimor, 31 vjet si sot, në xhaminë e Plumbit…

Paradreken e të martës, më 16 nëntor 2021, në xhaminë e Plumbit u zhvillua një aktivitet përkujtimor në ditën e shënuar historike të ceremonisë madhështore të rihapjes së xhamisë së Plumbit, më 16 nëntorit 1990.

Besimtarë të shumtë, imamë dhe drejtues të institucioneve islame, kishin ardhur për të falur fillimisht namazin e drekës në xhaminë e Plumbit. Më pas, në oborrin e xhamisë u mbajt një tubim përkujtimor me përshëndetje, mesazhe dhe kujtime mallëngjyese për këtë ditë të madhe historike, ku jehona e saj vazhdon të përkujtohet akoma edhe sot, pas 31 viteve.

Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u përqendrua tek mesazhet e kësaj ngjarjeje dhe rëndësinë që ka përkujtimi i datave të shënuara të historisë së shpirtit, ku e cilësoi ditën e 16 nëntorit 1990, si Dita e Rimëkëmbjes Islame në vendin tonë.

Myftiu vlerësoi frymën e atyre ditëve, ku i madh dhe i vogël ishin aty, për të mundësuar dëshmimin e thirrjes së shpirtit t’u liruar nga prangat dhe vargonjtë e periudhës më të errët të historisë shqiptare.

Ai kërkoi që besimtarët të luten për shpirtin e Hafiz Sabri Koçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, sikurse tha se shoqëria duhet të ngrihet për të mos e pranuar zullumin dhe të keqen, që përhapet kudo dita-ditës.

Myftiu Sytari tha se prej mirësive të kësaj ditë të shënuar është edhe thirrja për të parë se ku jemi dhe sfidat, me të cilat përballemi si shoqëri, ku dha një mesazh të fortë për ruajtjen e familjes dhe mos tolerimin e përpjekjeve shterpë për të prishur tabanin shekullor të saj.

Në lidhje me premtimin e bërë nga presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan për xhaminë e Plumbit, Myftiu u shpreh se duhet të kemi  pak durim dhe të mbajmë shpresën gjallë se së shpejti do të zbatohet projekti i madh dhe shumë i mirëpritur për rikonstruksionin e xhamisë së Plumbit, i cili do të marrë formën e plotë dhe të sigurt, siç i takon dhe e meriton kjo zonë shekullore islame.

Në vijim, njëri ndër nismëtaret për rihapjen e kësaj xhamie, Mehdi Myftia tregoi para të pranishmëve përpjekjet e tij dhe të bashkëkohësve të tij për rihapjen e xhamisë.

Ai tha se më 16 nëntor 1990 këtu u mblodhën besimtarë jo vetëm nga Shkodra, por nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet dhe fshatrat  e vendit. Njëkohësisht përmendi edhe përpjkejte e organizimit të madh, që nisën që më 5 nëntor dhe u finalizuan me ceremoninë madhështore të 16 nëntorit 1990.

Ai tha se sistemi i asaj kohe na kërcënonte me burgim,  popullsinë, besimtarët, por edhe neve që ishim si nismëtare të rihapjes së xhamisë për t’i shërbyer besimtarëve. Edhe pse policia na pengonte dhe kishte rrethuar xhaminë ne nuk u ndalëm në misionin që i kishim vënë vetes – tha ndër të tjera njëri prej nismëtarëve Myftia.

Në fund të kësaj veprimtarie përkujtimore, të gjithë të pranishmit vizituan dhe bënë nga një foto në zonën tjetër historike, në vakëfin e xhamisë së Tabakëve, që ndodhet pranë xhamisë së Plumbit.