Nata e Kadrit mbush xhamitë e Shkodrës me plot besimtarë

Nata e 27-të e Ramazanit, që është Nata e Kadrit, është nata më e mirë se njëmijë muaj. Si çdo vit, ashtu edhe këtë Ramazan, Myftinia Shkodër organizoi ditën e mërkurë, më 27 prill 2022 një program të larmishëm me rastin e kësaj Nate të Begatë e mbushur me plot mirësi e bekime nga Zoti (xh.sh). Ky program nisi që me namazin e iqindisë, ku u mbyll edhe Hatmeja e plotë e leximit të Kuranit Famëlartë dhe duaja e saj.

Në mbrëmje, pas faljes së farzit të jacisë, në xhaminë e Parrucës, që ishte mbushur plot me besimtarë, H. Naim Drijaj, imami i xhamisë së Parrucës, mbajti një ders të veçantë rreth vlerave dhe mirësive të kësaj Nate të Begatë, që është Nata e Kadrit.

Programi vazhdoi me faljen e namazit të teravisë nga disa imamë dhe gjithashtu nga hafizlerët nga Turqia, të ardhur enkas për këtë Ramazan.

Kjo natë u zbukurua nga lexim Kurani nga hafizët turq, dhikret, salavatet, duaja dhe në fund me faljen e namazi të vitrit, duke mbyllur kështu programin e Natës së Kadrit.