
Xhamia e re në Bojaj, një thirrje amaneti shekullor!
Fshati Bojaj, ndodhet në Njësinë Administrative Pult, rreth 40 km nga Shkodra. Ndër shekuj, në atë vend ka ekzistuar xhamia, që konsiderohet ndër më të vjetrat në zonën e Shkodrës.
Me ndryshimet demografike dhe lëvizjet e shumta, ajo zonë ka ngelur thuajse e izoluar nga pjesa tjetër e botës, për mungesë infrastrukture dhe vështirësinë e theksuar të lëvizjes, deri edhe me makina të larta.
Me iniciativën e trashëgimtarëve të familjeve muslimane të asaj zone dhe koordinimit me Myftininë Shkodër, u bë e mundur që në një hark kohor rekord dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, të ngrihet një xhami e vogël, mbi të njëjtat themele të xhamisë së vjetër, si ruajtje e amanetit të baballarëve, por edhe si një vend adhurimi për ato pak familje muslimane që kanë ngelur në atë zonë.
Ditën e martë, më 24 qershor 2025, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, i shoqëruar edhe nga teologu Naim Drijaj, dhe një pjesë e grupit të punës për këtë xhami të re, zhvilloi një inspektim në terren.
Myftiu falënderoi përkushtimin e madh të banorëve muslimanë të kësaj zone, si dhe mundin e papërshkruar për ngritjen e xhamisë së re në kushte ekstremisht të vështira, që pritet të hapet me ardhjen e emigrantëve, për t’u kthyer në një festë të paharruar për krejt zonën.