“Ramazan Mubarek”, tribunë fetare në prag të muajit të Ramazanit 1444

“Ramazan Mubarek”, tribunë fetare në prag të muajit të Ramazanit 1444

Pas iqindisë së ditës së enjte, më 16 mars 2023, në qendrën kulturore pranë xhamisë Kiras, në vigjilje të muajit të madhërueshëm të Ramazanit 1444, Myftinia Shkodër zhvilloi tribunën fetare me temë: “Ramazan Mubarek”, me pjesëmarrjen e imamëve, myezinëve dhe këshillave të xhamive të Shkodrës.

Pas fjalën së hapjes nga teologu Arben Halluni, ligjëratën kryesore e mbajti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili tha se atmosfera e begatë e Ramazanit ka filluar të ndjehet në qytet dhe në fshatra, përmes përgatitjes së përgjithshme, pastrimeve, rregullimeve, mesazheve të urta, etj.

Gjatë fjalës së tij, Myftiu dha edhe udhëzime dhe këshilla që kanë të bëjnë me organizimin e të gjitha riteve fetare në xhami dhe përtej saj, zhvillimit të iftareve, derseve, mukabeles/këndimit të plotë të hatmes së Kur’anit Famëlartë dhe të shumë veprimtarive të tjera të dobishme, të cilat duhet të përcillen tek xhemati.

Në fund, Myftiu uroi për një muaj të begatë, plot dritë dhe shpresë si dhe Zoti (xh.sh) ta bëjë këtë muaj reflektim të besimit, të moralit dhe lidhjes më tepër se kurrë me Allahun (xh.sh).

Në vijim, H. Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë mbajti një kumtesë, duke u ndaluar mbi domethënien e ajeteve të agjërimit, rëndësinë, vlerat, dobitë shpirtërore, morale dhe fizike që ka agjërimi dhe Ramazani në përgjithësi.

Ndërsa, H. Ensar Smajlaj, imam i xhamisë së Dërgutit, në kumtesën e tij u fokusua në mënyrën e davetit/thirrjes islame nga imamët në xhaminë që shërbejnë, rritjen e angazhimit për të solidarizuar sa më shumë bamirës gjatë këtij muaji të begatë ndaj shtresave në nevojë, skamnorëve etj.

Në fund të takimit, u shpërndanë posterat dhe kalendarët e Ramazanit, si dhe numri i ri i sapo dalë, i gazetës së Myftinisë Shkodër, “Udha Islame”.