Është Ramazan, është dritë, është Shkodër!
Megjithëse atë që institucioni i Bashkisë Shkodër duhej të bënte për Ramazan, nuk e bëri asnjëherë në këto 33 vite, patjetër që zbukurimi i vetë institucionit të Bashkisë sivjet (për festë, se fjalën Ramazan, kushedi nuk ia ka shkruar dora adminit) dhe ato pak vargje dritash të vendosura aty përballë, meritojnë vlerësim dhe janë një shembull, që ia kalon edhe Tiranës pragmatiste!
Çështja nuk është për dy a dhjetë vargje dritash, jo! Është përtej! Është te ekuilibrat, te normat, te standardet, që tek ne nuk u vunë kurrë!
Erdhi koha, që ne, vendi musliman më i madh në Evropë, të na imponohet nga sjelljet anormale të dy tarafave të politikës së këtyre 3 dekadave të fundit, një lloj kompleksiteti në raport me fenë tonë, shfaqjen e saj haptas dhe dëshmimin e identitetit pa pasur ndrojtjen e reaksioneve! Hajr, përse?
Për hatrin e kujt, a për borxh të kujt, xhanëm?!
Nga ana tjetër, elhamdulilah, që po bëhemi dëshmitarë të një kohe të paralajmëruar në fjalët e të Dërguarit (a.s), që zbukurimet e shesheve për Ramazan po na i mëson Londra, faljet publike (për të cilat nuk kemi nevojë, se shyqyr Zotit kemi plot xhami!) po i shohim në zemër të Nju Jorkut, frekuentimin më të madh të institucioneve fetare nga rinia, atë të muslimanëve, po na e dëshmon Franca, ndalimin e ndeshjeve të futbollit për iftarin e shpejtë të futbollistëve muslimanë, po e tregon Premier League e Anglisë, senatorët dhe deputetet muslimane me shami, djepi i demokracisë, ShBA, kandidimin për antare të këshillit bashkiak të muslimaneve me shami, bashkitë e Italisë, por jo vetëm.
Kështu që, të shkruajmë e të stërshkruajmë sot për zbukurimin e Shkodrës, djepit të Islamit, historisë së tolerancës, hoxhallarëve, medreseve, etj., me drita e fenerë Ramazani nga taksat e vetë muslimanëve, është dëshmi regresi dhe njollë turpi në hak të historisë sonë, tabanit dhe qytetarisë!
Dhe, kush ka hallin e fushatës, jua kam falur fushatat dhe partitë, hallin tuaj mos e pastë njeri!
Unë shkruaj dhe thërras për diçka mbi fushatat tuaja, partitë dhe politikën! Unë nuk bëj politikë, të nderuar, jua kam thënë edhe më herët; se po ta bëja, ju garantoj se ju do shifshi e do dëgjoshi ç’ka nuk ju gëzon, as ju lë rehat!
Prandaj, Bashkisë aktuale, faleminderit për kaq, ndërsa asaj që del pas 14 majit (Allahumme, veç mirë e më mirë për këtë qytet dhe të ardhmen e tij!), i duhet të bëjë një tobe të madhe publike me muslimanët e këtij qyteti, me lagjet e tyre, me investimet në to, por jo vetëm; me vepra, përtej fjalëve, që deri më sot, kanë qenë kryesisht sprovë e dinjitetit; për dikë i ruajtur dhe për dikë tjetër, i humbur dhe i dalë boje..!?
Allahu ju dashtë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 12 prill 2023