U nënshkrua akti i marrjes në shfrytëzim i xhamisë së Tophanës
Paraditen e së enjtes, më 5 nëntor 2026, në ambientet e xhamisë së Tophanës, u zhvillua nënshkrimi i marrëveshjes së dorëzimit në administrim dhe shfrytëzim të xhamisë së Tophanës, nënshkruar nga Zyra e Vakf-Investimeve pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe përfaqësuesit ligjor të “Qatar Charity” – Zyra e Shqipërisë.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Shoqatës “Qatar Charity”, Myftinisë Shkodër dhe Bashkisë Shkodër, pas një inspektimi të hollësishëm të ndërtimit të ri të xhamisë së Tophanës dhe ambienteve të saj, u nënshkrua ndërmjet “Qatar Charity” – Zyra e Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë procesverbali i aktit të marrjes në dorëzim dhe administrim për shfrytëzim i xhamisë së Tophanës nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Shkodër.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi praninë e autoriteteve dhe njëkohësisht shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e frytshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me “Qatar Charity” – Zyra e Shqipërisë dhe Bashkisë Shkodër, me qëllim realizimin e këtij projekti të ri me shumë vlerë për hartën e xhamive dhe aktivitetin islam në qytetin e Shkodrës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe z. Erlis Mosha, Drejtor i Drejtorisë së Vakëf-Investimeve në Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bledar Maçka, drejtor i programeve në “Qatar Charity” – Zyra e Shqipërisë, inxh. Sabina Brunga, koordinatore e projekteve, si dhe znj. Florinda Hila, supervizore e Bashkisë Shkodër.





