Nis trajnimi i haxhilerëve shkodranë për vitin 1444/2023
Paraditën e së hënës, më 12/6/2023, në ambientet e xhamisë së Parrucës, Myftinia Shkodër, nisi trajnimin e përvitshëm të haxhilerëve të Shkodrës, me qëllim përgatitjen emocionale dhe shpjegimin e detajeve të duhura për kryerjen me sukses të Haxhit dhe ritualeve të tij.
Në ligjëratën e parë të mbajtur ditën e sotme, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, trajtoi vlerën dhe madhështinë e Haxhit, nëpërmjet haditheve të Pejgamberit (a.s).
Ndërkohë, në ligjëratën e dytë të kësaj dite, imami i xhamisë së Fushë Çelës, H. Idmir Plaku, shpjegoi detaje me rëndësi rreth shenjtërisë së Mekës dhe Medines së Ndriçuar, si dhe disa stacioneve të spikatura në adhurimet e ditëve të Haxhit në këto dy qytete të begata.
Trajnimi i haxhilerëve do të vijojë me ligjëratat e dy ditëve në vijim, shpjegimin e detajeve të ritualeve të këtij adhurimi të spikatur, mësimin e disa lutjeve dhe dhikreve, etj.
Për nder të haxhilerëve shkodranë, ditën e enjte, më 15/6/2023, në ora: 19.00, në oborrin e xhamisë së Parrucës do të zhvillohet një program i pasur festiv.