Kaligrafi Feraxh Arshin nga Damasku prej 41 vitesh e ruan traditën e kaligrafisë
Kaligrafi Feraxh Arshin, i cili jeton në kryeqytetin e Sirisë, Damask, prej 41 vitesh e ruan traditën e kaligrafisë.
Arshin punon në bodrumin e një ndërtese në lagjen historike Ruknedin në Damask, dhe me kaligrafinë arabe merret në mënyrë profesionale prej 41 vitesh. Ai u interesua për këtë art që në fëmijëri.
Sot, përveç krijimit të veprave në stile të ndryshme kaligrafike, Arshin, përmes mësimdhënies tek të rinjtë, kontribuon në ruajtjen dhe transmetimin e artit të kaligrafisë te brezat e ardhshëm.
Gjatë karrierës së tij artistike, Arshin ka arritur suksese të rëndësishme në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitet 2001 dhe 2004, ai e ka përfaqësuar Sirinë në manifestime të organizuara nga Qendra për Kërkim dhe Studime pranë Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Arshin ka fituar vendin e tretë në garën e kaligrafisë arabe në Arabinë Saudite, ndërsa tre vjet më parë ka fituar vendin e parë në garën e mbajtur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një bisedë për AA, Arshin thotë se profesionalisht ka filluar të merret me kaligrafinë arabe në vitin 1980 dhe se gjatë gjithë jetës së tij, përveç si kaligraf, ka punuar edhe si mësues.
“Në fillim e mësova kaligrafinë përmes vëzhgimit, librave dhe artikujve, si dhe duke ndjekur emisione televizive. Gjithmonë jam munduar ta mësoj dhe ta transmetoj këtë art të pavdekshëm”, thekson ai.
Arshin tregoi se në vitin 2016 është shpërblyer me një pllakë njohjeje nga Universiteti i Damaskut, ndërsa përvojën e mësimdhënies me studentët e përshkroi si jashtëzakonisht të këndshme.
(www.instagram.com/trtbalkanal)





